Policia italiane në Reggio Emilia ka ekzekutuar në orët e agimit një urdhër paraburgimi paraprak të lëshuar nga Gjykatësi i Hetimeve Paraprake në Gjykatën e Bolonjës, me kërkesë të Drejtorisë Antimafia të Distriktit të Bolonjës, ndaj nëntë personave, tetë me origjinë shqiptare dhe një italian, të dyshuar për konspiracion kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Operacioni u krye nga Skuadra Fluturuese e Policisë së Reggio Emilia-s, në koordinim me Shërbimin Qendror të Operacioneve të Policisë Italiane, si dhe me mbështetjen e Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor, i cili aktivizoi rrjetin e Interpol-it për shpërndarjen e urdhër-arresteve në nivel ndërkombëtar, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare.
Arrestime dhe kontrolle po zhvillohen në disa provinca italiane, përfshirë Reggio Emilia, Bergamo, Brescia dhe Savona, si dhe jashtë Italisë, konkretisht në Francë, Spanjë dhe Shqipëri, falë bashkëpunimit me policitë përkatëse, veçanërisht me Departamentin e Policisë Kriminale të Shqipërisë. Operacioni, i koduar “STURL ONE”, është vazhdim i hetimeve të mëparshme TREXIT 2019 dhe BLACK MAMBA, të cilat në vitet 2021 dhe 2022 kishin çuar në ekzekutimin e 35 masave kufizuese. Këto hetime zbuluan ekzistencën e disa organizatave kriminale aktive në provincën e Reggio Emilia-s, përfshirë dy grupe të strukturuara me shtetas shqiptarë, të përfshira në furnizimin masiv me kokainë.
Sipas hetuesve, një nga organizatat drejtohej nga një shtetas shqiptar me banim në Itali, i cili udhëtonte shpesh jashtë vendit dhe kishte rolin kyç të ndërmjetësimit për sigurimin e drogës në rajonin Emilia-Romagna që prej vitit 2018. Grupi kriminal ishte i pajisur me burime të mëdha financiare dhe logjistike, duke importuar kokainë, hashash dhe marihuanë nga Amerika e Jugut, Evropa Veriore dhe Spanja, të fshehura në kamionë me produkte bujqësore dhe të shpërndara më pas në të gjithë Italinë përmes korrierëve. Për komunikim, të dyshuarit përdornin platformën e koduar SkyECC, e instaluar në telefona të posaçëm me vlerë mijëra euro. Analiza e bisedave të përgjuara, të siguruara përmes një Urdhri Hetimor Evropian, lejoi rindërtimin e aktivitetit kriminal dhe identifikimin e roleve të secilit anëtar, duke çuar në ngritjen e 44 akuzave penale. Sipas autoriteteve, vetëm gjatë gjashtë muajve monitorim, organizata arriti të lëvizte mbi 200 kilogramë kokainë dhe rreth 1,000 kilogramë hashash dhe marihuanë, duke përfituar miliona euro.
Në total, 15 persona janë nën hetim, ndërsa gjatë operacionit u kryen dhjetëra kontrolle me pjesëmarrjen e rreth 50 efektivëve të policisë. Paralelisht, në provincën e Brescias, një shtetas maroken u arrestua në flagrancë, pasi iu gjetën mbi 2 kg marihuanë, 1 kg hashash dhe 5,800 euro cash, me dyshimin për shpërndarje droge. Autoritetet italiane e konsiderojnë operacionin një goditje të rëndësishme ndaj rrjeteve ndërkombëtare të trafikimit të drogës dhe një shembull të bashkëpunimit efektiv policor mes vendeve evropiane dhe Shqipërisë.
