Fermerët e prekur nga përmbytjet dhe dëmet e mëdha në bujqësi kanë protestuar paraditen e së martës përpara Bashkisë së Maliqit, duke kërkuar dëmshpërblim nga shteti për humbjet e shkaktuara në prodhimin bujqësor.

Sipas protestuesve, përmbytjet janë pasojë e keqmenaxhimit dhe mungesës së vëmëndjes nga institucionet.
Ata theksojnë se tokat janë tërësisht nën ujë dhe se deri më tani, nuk kanë marrë asnjë ndihmë apo mbështetje konkrete.

Fermerët shprehen se nuk kanë besim se do të kompensohen dhe kërkojnë praninë e ministrit të bujqësisë për të dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre.
Ata paralajmërojnë se, nëse nuk do të ketë reagim dhe dëmshpërblim nga autoritetet, protesta do të përshkallëzohet, duke bllokuar edhe rrugët kryesore.

Protesta është monitoruar nga forca të shumta të Policisë së Shtetit, të cilët u pozicionuan në hyrje të Bashkisë së Maliqit për të garantuar rendin dhe sigurinë.

Zona e Maliqit renditet ndër më të prekurat nga përmbytjet në qarkun e Korçës, veçanërisht në sektorin e bujqësisë. Sipas të dhënave më të fundit, rreth 3 600 hektarë tokë bujqësore e mbjellë vijojnë të jenë nën ujë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike për fermerët e zonës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb