Danimarka ka dërguar trupa shtesë në Groenlandë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi vendet evropiane me tarifa nëse nuk i lejohet të blejë ishullin vetëqeverisës të Arktikut.
Trump ka kohë që kërkon të blejë Groenlandën nga Danimarka, duke përmendur shqetësimet për sigurinë kombëtare dhe nevojën për të penguar ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon. Anëtarët evropianë të NATO-s janë mbledhur në mbështetje të Kopenhagenit, i cili e ka refuzuar ofertën e Trump.
Një grup i ri ushtarësh danezë zbarkoi në Grenlandë të hënën. Gjeneralmajor Soren Andersen, komandanti i Komandës së Përbashkët Arktike të Danimarkës në Grenlandë, u tha mediave lokale se të paktën 100 trupa janë të stacionuara në kryeqytetin e ishullit, Nuuk, me 100 të tjerë të vendosur në Kangerlussuaq.
Një zëdhënës ushtarak danez i tha CNN se do të ketë një “rritje të konsiderueshme” të numrit të ushtarëve në Groenlandë. Vendosja është pjesë e stërvitjes “Arctic Endurance” të nisur në përgjigje të presionit nga Trump.
Trump më parë tha se mund të duhet të ushtrojë kontrollin mbi Groenlandën “në mënyrën e vështirë” nëse Kopenhageni refuzon të bashkëpunojë. Ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen i hodhi poshtë kërcënimet në një intervistë të kohëve të fundit me Sky News, duke thënë: “Ne kemi vija të kuqe që nuk mund të kalohen”.
“Nuk mund të kërcënoni rrugën tuaj drejt pronësisë së Groenlandës. Unë nuk kam ndërmend ta përshkallëzoj këtë situatë”, tha Rasmussen.
Trump tha se do të vendoste një tarifë të re prej 10% për disa shtete evropiane, përfshirë Danimarkën, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, dhe do ta rriste atë në 25% nëse nuk arrihet një marrëveshje për Groenlandën deri më 1 qershor. Në një postim të kohëve të fundit në Truth Social, presidenti tha se nuk ka “dokumente të shkruara” që përcaktojnë pronësinë e Danimarkës mbi Groenlandën.
