Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka thirrur në një interpelancë në Kuvend ministren e Brendshme, Albana Koçiu pas zbulimit të një aktiviteti të paligjshëm ku mashtroheshin shtetas të vendeve Europiane për investime në kriptomonedha të ndryshme.
Në një video në rrjetet sociale, Shehaj thotë se do të kërkojë shpjegime nga ministrja Koçiu se si është e mundur që kjo qendër thirrjesh në kryeqytet, nuk zbulohet nga Policia e Shtetit shqiptar, por nga gazetarët në Itali, një nga vendet e prekura nga ky mashtrim.
Ai ka akuzuar Policinë për mbështetje të krimit si dhe dekonspirimin e aksioneve të SPAK.
Agron Shehaj: Kjo është interpelanca që kemi dorëzuar në Kuvend për të pyetur ministren e Punëve të Brendshme se si është e mundur që në një kullë në mes të Tiranës mashtrohen qytetarët europianë dhe kjo nuk zbulohet nga Policia e Shtetit por zbulohet nga një emision investigativ italian.
Arsyeja është e thjeshtë, sepse Policia në vend që të hetojë krimin, e mbështet atë.
Imagjinoni, në mes të Tiranës, dy kate të kësaj kulle ishin të zënë me shtetas shqiptarë dhe shtetas të huaj që mashtronin viktimat në të gjithë Europën: italianë, gjermanë, francezë dhe kështu me radhë.
Dhe Policia nuk bënte asgjë. Jo vetëm kaq, por kur SPAK-u erdhi për të mbledhur provat dhe për të arrestuar përgjegjësit, nuk gjeti asnjë. Sepse qartësisht operacioni u dekonspirua nga Policia.
Kjo është arsyeja pse e kemi bërë këtë interpelancë dhe presim përgjigje nga ministrja.
Në fakt ne e dime se çfarë po ndodh, Policia dhe krimi janë bashkë!
Dhe ky është problemi i drejtësisë dhe problemi i sundimit të ligjit në Shqipëri.
