Jetë luksi ekstravagante, të ekspozuar në mediat sociale, përjetojnë fëmijët e elitës sunduese të Iranit, teksa mijëra iranianë të zakonshëm vriten për shkak se guxojnë të vënë në dyshim regjimin dhe të protestojnë për varfërinë në të cilën ndodhen.
Dhe ndërsa shtypja e protestave kundër regjimit është e përgjakshme, me të paktën 5,000 të vdekur, sipas autoriteteve iraniane dhe rreth 16,500 sipas organizatave të pavarura, fëmijët e klerikëve të lartë, ministrave dhe shefave të sigurisë, shfaqen larg gjakderdhjes, duke jetuar në luks, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Siç raporton Daily Mail, fëmijët e njerëzve që kontrollojnë Iranin vazhdojnë të pozojnë me çanta firmato, supermakina dhe avionë privatë. Vetëm një javë para se të shpërthenin trazirat, modelja dhe stilistja e modës Anashid Hosseini pozoi në internet i veshur me një pallto të shtrenjtë kashmiri ngjyrë krem dhe duke mbajtur një çantë dore, vlera e së cilës, sipas kritikëve të saj, tejkalon të ardhurat vjetore të shumë iranianëve.
Hosseini, e martuar me djalin e ish-ambasadorit të Iranit në Danimarkë, është bërë një simbol i teprimit, duke shkaktuar zemërim publik. Hosseini është një nga fëmijët e figurave të larta të regjimit që përfitojnë nga pushteti politik, korrupsioni dhe pasuria që rrjedh nga anashkalimi i sanksioneve. Midis tyre janë Mohammad Hossein Shamkhani dhe vëllai i tij Hassan, i njohur si “Hector”, të cilët janë të vendosur në Dubai dhe drejtojnë një perandori globale të transportit detar. Babai i tyre, Ali Shamkhani, është një ish-kreu i sigurisë për Republikën Islamike dhe një këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
“Stili i tyre i jetesës ka zemëruar qytetarët iranianë, veçanërisht Gjeneratën Z, kryesisht sepse ata shohin se si jetojnë këta fëmijë të pasur, pa asnjë përgjegjësi për atë që bëjnë”, tha Ella Rosenberg, një bashkëpunëtore e lartë në Qendrën e Jerusalemit për Punë të Jashtme e specializuar në Iranin dhe financimin e terrorizmit.
“Familjet e tyre, prindërit dhe gjyshërit sigurohen që jeta e tyre në Iran të jetë e lehtë, plot luks”, shtoi ajo. Sipas një ish-ministri iranian, 5,000 “aghazadeh” jetojnë në Amerikë, armikun më të madh të Iranit, “Satanin e Madh”.
Një shembull i njohur i shpërdorimit dhe abuzimit me regjimin është Sasha Sobhani, djali i një ish-ambasadori iranian në Venezuelë nën Presidentin Ahmadinejad.
Sobhani ka një llogari në Instagram me miliona ndjekës. Ai shfaq jahtet e tij superluksoze, avionët privatë, makinat e shpejta dhe festat luksoze me gra gjysmë të zhveshura, duke provokuar zemërim publik në vendin e tij. Ndryshe nga shumë elita të tjera që mbajnë një profil të ulët, Sobhani i ka provokuar vazhdimisht kritikët e tij. Dhe pasi shfaqi stilin e tij të jetesës luksoze, ai më pas u përpoq të distancohej nga Teherani, i cili po kërkon ekstradimin e tij nga Spanja me akuza që përfshijnë drejtimin e faqeve të paligjshme të lojërave të fatit, pastrimin e parave dhe organizimin e festave rave. Pavarësisht sanksioneve perëndimore ndaj regjimit, stili i jetesës së elitës iraniane duket se mbetet kryesisht i paprekur, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Në lagjet e pasura të veriut të Teheranit, si Elahieh – shpesh e krahasuar me Beverly Hills – makina luksoze kalojnë përpara kafeneve të shtrenjta, butikëve firmato dhe kullave moderne të banimit, duke krijuar një kontrast të fortë me vështirësitë ekonomike të shumicës së popullsisë.
