Profesori i njohur dhe eksperti amerikan, Edward Joseph, ishte një nga pjesëmarrësit në diskutimet në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara për çështjen e Ballkanit.
Duke u ndalur tek Shqipëria, Joseph tha se SHBA dhe BE mbështesin një gjyqësor të pavarur, por ai ngriti shqetësime për pluralizmin politik, duke theksuar se “ka rënë”.
Ai theksoi se SHBA vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me Tiranën, një aleate besnike e NATO-s dhe partnere e SHBA-së, por thekson se “Uashingtoni duhet të ngrejë pyetje lidhur me sundimin e ligjit, integritetin dhe efikasitetin e gjyqësorit”.
“Më në fund e shkëputur nga rruga e vështirë e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, Shqipëria po bën përparime mbresëlënëse drejt anëtarësimit”, shtoi ai.
“Sundimi i ligjit mbetet një kërkesë thelbësore. Shtetet e Bashkuara dhe shtetet kryesore të BE-së prej kohësh kanë mbështetur përpjekjet për të ndërtuar një gjyqësor të pavarur, të besueshëm dhe efikas në Shqipëri. Të dhënat sugjerojnë një stok të fryrë çështjesh të mbetura pezull, duke i lënë qytetarët të presin me vite për një vendim përfundimtar. Këto vonesa minojnë besimin publik dhe të drejtën për proces të rregullt ligjor.
Raporti i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e majit identifikoi një sërë ndërhyrjesh në procesin zgjedhor. ODIHR citoi raportime për frikësim, keqpërdorim të burimeve publike dhe presion ndaj punonjësve publikë, raste frikësimi dhe blerje votash, si dhe probleme me sekretin e votës.
Ndërsa SHBA vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me Tiranën, një aleate besnike e NATO-s dhe partnere e SHBA-së, Uashingtoni duhet të ngrejë pyetje lidhur me sundimin e ligjit, integritetin dhe efikasitetin e gjyqësorit, arrestimet dhe ndjekjen penale të liderëve të opozitës, si dhe rënien e pluralizmit politik”, tha Joseph.
