Këshilli i Lartë Gjyqësor, përmes një njoftimi thotë se nuk ka marrë dokument nga Prokuroria e Përgjithshme, ku vërtetohet se gjyqtarja e GJKKO Irena Gjoka, rezulton e dënuar në Greqi për falsifikim dokumentesh.

KLGJ shprehet se deri në orën 20:30, nuk është dërguar asnjë shkresë nga prokuroria, teksa shton se kur të mbërrijë zyrtarisht, do të administrohet nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës në këtë institucion.

“Mirëmbrëma! Të nderuar kolegë, lidhur me njoftimin e sotëm të Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me vendimin e miratimit të rezultateve të verifikimit të thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit datë 22.04.2016, për subjektin Irena Gjoka(Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ju bëj me dije se deri në orën 20:30 datë 20.01.2026 në adresë të KLGJ-se nuk ka mbërritur asnjë dokument zyrtar.

Sapo shkresa e Prokurorisë së Përgjithshme të mbërrijë zyrtarisht, ajo do të administrohet nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës në KLGJ, dhe më pas do të ndiqet procedura përkatese ligjore.  Ju faleminderit!”, thuhet në njoftim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb