Qeveria meksikane njoftoi të martën se u kishte dorëzuar autoriteteve amerikane 37 persona që dyshohet se i përkasin organizatave kriminale, ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump vazhdon të ushtrojë presion mbi Meksikën, duke kërcënuar shpesh me “sulme tokësore kundër karteleve të drogës “.
Kjo është vala e tretë e ekstradimeve që nga viti 2025, gjë që e rrit në 92 numrin e udhëheqësve ose anëtarëve të dyshuar të karteleve të drogës që i janë dorëzuar autoriteteve gjyqësore amerikane.
“Ky veprim u krye sipas ligjit të sigurisë kombëtare dhe brenda kuadrit të mekanizmave të bashkëpunimit dypalësh, me respekt të plotë për sovranitetin kombëtar”, tha Omar García Harfus, ministri federal i Sigurisë Publike, nëpërmjet X.
Njoftimi erdhi rreth një javë pasi presidentja meksikane Claudia Sheinbaum dhe homologu i saj amerikan, Donald Trump, zhvilluan bisedime mbi sigurinë.
Sheinbaum u tha gazetarëve më 12 janar se i kishte thënë zotit Trump se prania e trupave amerikane në Meksikë “nuk ishte në axhendë”.
Presidentja meksikane ka mbrojtur veprimet e administratës së saj, duke theksuar rezultatet e luftës së saj kundër krimit të organizuar: një ulje prej 50 përqind të sekuestrimeve të fentanilit në kufi, një ulje prej 40 përqind të vrasjeve në Meksikë dhe sekuestrimin e rreth 320 tonëve drogë.
Individët e ekstraduar, këtë herë udhëheqës bandash të nivelit të dytë, sipas mediave meksikane, përbënin një kërcënim sigurie për Meksikën, sipas autoriteteve.
Të premten, Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së (FAA) lëshoi paralajmërime për kontrollorët e trafikut ajror që fluturonin mbi zonat e Amerikës Latine. Ato përfshinin pjesë të hapësirës ajrore të Paqësorit dhe Gjirit të Kalifornisë në Meksikë. Zona është shtëpia e disa karteleve, përfshirë qytetin bregdetar të Mazatlanit në shtetin Sinaloa.
NOTAM, i cili erdhi disa ditë pas operacionit ushtarak amerikan në Venezuelë më 3 janar, shkaktoi trazira në Meksikë.
Presidentja Sheinbaum, e cila ka hedhur poshtë vazhdimisht çdo ndërhyrje ushtarake amerikane kundër karteleve në vendin e saj, e përshkroi bisedën e saj me homologun e saj Trump më 12 janar si “të mirë”.
Manjati republikan ka pohuar vazhdimisht se kartelet e drogës “sundojnë” Meksikën.
