Mungesa e barnave për diabet në Maqedoninë e Veriut po bëhet shqetësuese për pacientët kronikë, sidomos sa i përket Ozempikut.

Ky ilaç ndihmon në parandalimin e komplikime kardiovaskulare te pacientët me diabet të tipit 2, numri i të cilëve në Maqedoninë e Veriut arrin në rreth 136.000.

Ozempiku është një ilaç për injektim, që përdoret përmes një stilolapsi të gatshëm, shpjegojnë për Radion Evropa e Lirë nga Agjencia për Barna dhe Pajisje Mjekësore e Maqedonisë së Veriut (MALMED).

Përdorimi i tij nuk shkakton dhimbje dhe është i ngjashëm me atë të insulinës.

Në barnatoret për insulinë në Maqedoninë e Veriut, Ozempiku jepet falas për pacientët me diabet të tipit 2, pasi ndihmon jo vetëm në parandalimin e komplikimeve kardiovaskulare, por ul edhe nevojën për trajtim spitalor.

Përvoja e një pacienti nga Velesi
Nëse Ozempiku nuk përdoret për trajtimin e sëmundjes, kjo gjë mund ta përkeqësojë shëndetin e brishtë të pacientëve, tregon edhe përvoja e Dime Velevit.

Për tre muaj gjatë vitit të kaluar, Velev, i cili është edhe kryetar i Bashkimit të Shoqatave të Personave me Diabet, nuk mundi ta siguronte Ozempikun dhe, në nëntor, për shkak të një arterieje të bllokuar, u detyrua të kryente një koronarografi.

“Kisha inflamacion dhe nivele të larta të sheqerit, por reagova në kohë së bashku me mjekët, me terapi shtesë dhe analiza biokimike. Isha një hap larg vendosjes së stentit në zemër“, rrëfen Velev për Radion Evropa e Lirë.

Muajin pasues, ai arriti ta siguronte këtë ilaç nga farmacia e insulinës në Veles, ku edhe jeton, por thotë se ai, aktualisht, nuk është i disponueshëm për rreth 400-500 pacientë.

Velev thotë se trajtimi i tyre është si një “ruletë ruse” – kurrë nuk dihet nëse në farmacitë e insulinës do të ketë sasi të mjaftueshme.

“Nëse një farmaci duhet të furnizojë 50 pacientë, shpërndarja bëhet për 43, dhe çdo muaj ndryshojnë se cilët 7 nuk do ta marrin terapinë”, thotë Velev.

Shpjegimi që ai dhe pacientë të tjerë kanë marrë nga autoritetet shëndetësore, është se ilaçi është blerë në sasi të mjaftueshme, por, “për shkak të një problemi teknik“ nuk është shpërndarë.

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se cili është shkaku i mungesës së tij, por tha se ka siguruar sasi të ilaçit për 1.800 pacientë.

“Me prokurimin e ri publik 2025-2027, sasia për këtë ilaç është rritur për 400 pacientë më shumë, krahasuar me prokurimin e mëparshëm publik, kur ishte siguruar sasi për 1.400 pacientë“, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë.

Si blihet Ozempiku?
Ministria e Shëndetësisë e blen Ozempikun përmes Programit për Sigurimin e Insulinës, Glukagonit, Gjilpërave të Insulinës dhe Shiritave Matës të Glukozës, Pompave të Insulinës me Materiale Konsumuese dhe Sensorëve për Matje të Vazhdueshme të Glukozës.

Prandaj, ky ilaç nuk është në Listën Pozitive dhe, si i tillë, nuk është barrë për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

“Kjo do të thotë që Fondi nuk ofron mjete për blerjen dhe shpërndarjen e këtij ilaçi për asnjë kategori pacientësh, përfshirë pacientët me diabet”, thekson Fondi i Sigurimeve Shëndetësore në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Sipas autorizimit të MALMED-it, ilaçi mund të merret në farmaci vetëm me recetë mjekësore, por jashtë farmaciave të insulinës, kostoja bie mbi pacientin.

Ozempiku si parandalim i shtrimit në spital
Endokrinologu Irfan Ahmeti shpjegon për Radion Evropa e Lirë se Ozempiku është jashtëzakonisht i rëndësishëm për pacientët me diabet të tipit 2, të cilët kanë edhe sëmundje bashkëshoqëruese dhe janë obezë.

Ai thotë se Ozempikun mund ta marrin edhe pacientët obezë pa diabet, por se ai dhe kolegët e tij, duke u bazuar në udhëzimet e Shoqatës Amerikane dhe asaj Evropiane për Diabetin, nuk e përshkruajnë këtë ilaç për humbje peshe te pacientët që nuk janë me diabet.

“Udhëzimet tregojnë qartë se cilit grup pacientësh duhet t’i jepet Ozempiku. Bëhet fjalë për pacientët me rrezik të provuar kardiovaskular, për shkak të diabetit dhe obezitetit, dhe ne përpiqemi ta përshkruajmë pikërisht kështu, për t’u përshtatur me rregulloret tona”, shpjegon Ahmeti.

Ai thekson se përdorimi i Ozempikut ka sjellë një ndryshim revolucionar në menaxhimin e diabetit tip 2.

“Ozempiku, përveçse rregullon sheqerin në gjak, ka efekt pozitiv në uljen e peshës trupore te pacientët obezë me diabet tip 2. Gjithashtu, zvogëlon rrezikun për probleme kardiovaskulare, si infarkti. Studimet e reja tregojnë se ky grup ilaçesh ndihmon edhe në ngadalësimin e përparimit të sëmundjeve të veshkave, sëmundjeve periferike të arterieve dhe të mëlçisë me yndyrë”, thotë Ahmeti.

Ai shton se ilaçi mund t’u përshkruhet edhe diabetikëve që nuk kanë komplikime, me qëllim të uljes së peshës. Në këtë rast, ai nuk jepet falas, por mund të blihet në ndonjë nga farmacitë private për rreth 6.000 denarë, apo më pak se 100 euro.

Përdorimi i Ozempikut për humbje peshe
Blerja e Ozempikut pa recetë mjekësore, edhe kur nuk përdoret për trajtim, është shndërruar në fenomen te qytetarët maqedonas me peshë të tepërt.

Ata mund ta gjejnë ilaçin në farmacitë më të furnizuara.

Riste S. nga Shkupi rrëfen se, ndërsa priste në një farmaci në qendër të qytetit, një grua kërkonte të blinte Ozempik, por nuk kishte sasi.

“Punonjësit thanë se është shitur privatisht dhe se shitjet e tyre po dëmtoheshin nga importet ilegale përmes Kosovës, ku shitet më lirë. Unë u përfshiva në bisedë dhe ata më thanë se mund ta blija, por kur të ketë”, thotë bashkëbiseduesi i Radios Evropa e Lirë.

Radio Evropa e Lirë pyeti edhe në një farmaci jashtë Shkupit nëse Ozempik mund të blihet për humbje peshe, dhe farmacisti e konfirmoi.

“Doza mujore është 5.400 denarë”, u përgjigj shkurt ai, pa përmendur rreziqet e mundshme të përdorimit të ilaçit në këtë mënyrë.

Endokrinologu Ahmeti paralajmëron qytetarët që të mos e përdorin këtë ilaç pa udhëzim mjekësor.

“Kjo mbetet përgjegjësi e tyre. Nëse veprojnë në këtë mënyrë, rrezikojnë vetveten. Ne, mjekët, apelojmë që çdo ilaç i regjistruar, që ka efekte anësore, të përshkruhet nga një mjek specialist”, thotë ai.

Velev thotë se Ozempiku nuk është suplement apo kozmetikë, por terapi mjekësore.

“Ka rreziqe serioze nëse e merrni kur jeni të shëndetshëm”, sipas tij.

Inspektimet e MALMED-it nuk kanë gjetur Ozempik të falsifikuar dhe nuk ka të dhëna për keqpërdorime gjatë periudhës 2024-2025.

Agjencia thekson se ilaçi duhet përdorur vetëm me recetë mjekësore përkatëse dhe se çdo shkelje mund të raportohet tek ajo./REL

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb