Reshjet e borës janë rikthyer në Qarkun e Dibrës mbi 600 metra mbi nivelin e detit. Bora ka nisur gjatë orëve të para të mëngjesit, ndërsa në zonat e thella malore raportohet një trashësi deri në 15 centimetra.
Reshje të konsiderueshme bore janë regjistruar në njësitë administrative Lurë, Kala e Dodës, Selishtë, Zall-Dardhë, Zall-Reç, Sllovë, si edhe në Trebisht, Ostren dhe zonën e Martaneshit.
Si pasojë e borës janë krijuar probleme në rrugët rurale. Vështirësi në qarkullim raportohen edhe në Rrugën e Arbrit, kryesisht nga Qafa e Buallit drejt Peshkopisë. Situata më problematike paraqitet në rrugën nacionale në zonën e pishave në Fushë-Bulqizë, ku ka prezencë bore dhe akulli në asfalt.
Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve që të qarkullojnë me goma dimërore dhe zinxhirë, pasi reshjet e borës vijojnë me intensitet të lartë.
Sipas informacioneve zyrtare, për momentin nuk raportohet bllokim i qarkullimit nga Ura e Vashës deri te Shkalla e Tujanit. Ndërkohë, në tunelin e Qafë-Buallit dhe në segmentin Qafë-Buall–Peshkopi mungon kripa, ndërsa disa pjesë të Rrugës së Arbrit kanë prezencë akulli dhe bore në asfalt.
