Numri i rasteve të fruthit në Shtetet e Bashkuara vazhdon të rritet me ritme shqetësuese, veçanërisht në shtetin juglindor të Karolinës së Jugut, ku që nga vjeshta janë konfirmuar më shumë se 600 raste, njoftuan autoritetet lokale të shëndetësisë të martën.
Sëmundja shumë ngjitëse, e cila konsiderohej e eliminuar prej vitesh, po bën një rikthim të fortë në vendet e zhvilluara, përfshirë SHBA-në, në një kohë kur hezitimi ndaj vaksinimit po rritet. Shtetet e Bashkuara po përballen tashmë me shpërthimin më të rëndë të fruthit në tre dekadat e fundit.
Pas mbi 2,200 rasteve të regjistruara brenda tre muajve gjatë vitit 2025, infeksionet kanë vazhduar të shtohen edhe në vitin 2026, duke ngritur alarmin tek autoritetet shëndetësore federale dhe lokale.
Në Karolinën e Jugut, vetëm që nga e premtja janë regjistruar 88 raste të reja, duke e çuar numrin total të infeksioneve në 646 që nga zbulimi i shpërthimit në vjeshtë. Autoritetet raportojnë se shumica e të infektuarve janë të pavaksinuar. Në disa raste, bëhet fjalë për nxënës shkolle dhe studentë të rinj në dy universitete të shtetit.
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), raste të fruthit janë raportuar edhe në tetë shtete të tjera amerikane që nga fillimi i vitit 2026, çka tregon përhapjen e gjerë të sëmundjes.
Fruthi shkakton temperaturë të lartë, infeksione të frymëmarrjes dhe skuqje të përhapur të lëkurës. Në raste më të rënda, sëmundja mund të çojë në komplikime serioze si pneumonia dhe encefaliti akut, me pasoja të rënda për shëndetin, madje edhe vdekje.
