Carlos Alcaraz vazhdon rrugëtimin e tij në Australian Open duke u kualifikuar në raundin e tretë pas fitores në tre sete ndaj Yannick Hanfmann (7-6, 6-3, 6-2). Pas një seti të parë shumë të luftuar, të mbyllur në tie-break, numri një i botës rriti ndjeshëm nivelin e lojës dhe dominoi pjesën tjetër të ndeshjes. Hanfmann u ndal edhe nga probleme fizike në zonën e barkut. Në raundin tjetër, Alcaraz do të përballet me fituesin e ndeshjes mes Michael Zheng dhe Corentin Moutet.

Me katër sete u kualifikua Daniil Medvedev, i cili mposhti francezin Quentin Halys pas një fillimi të vështirë. Në mesin e fituesve të ditës janë edhe Andrey Rublev dhe Tommy Paul, ndërsa Alejandro Davidovich Fokina triumfoi pas një maratone pesë-setëshe ndaj Reilly Opelka.

Në turneun e femrave, Aryna Sabalenka nuk pati vështirësi ndaj Bai Zhuoxuan, duke fituar bindshëm 6-3, 6-1.. Avancoi edhe, amerikania 21 vjeçare Coco Gauff, e cila me një fitore të shpejtë ndaj Olga Danilovic siguroi raundin e tretë për të katërtin vit radhazi. Numri tre e botës po shfaq edhe risi në lojë dhe stil, duke synuar një tjetër ecuri të gjatë në Melbourne.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb