Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, një nga protestuesit e vrarë gjatë ngjarjeve të 21 Janarit 2011, ka folur për mediat pas daljes nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), ku u takua me prokurorin që po heton çështjen.
Nika kërkoi përshpejtimin e hetimeve, duke theksuar se dëshmitarët ndodhen nën presion dhe frikë. “Kërkojmë që hetimi për 21 Janarin të përshpejtohet. Dëshmitarët kanë presion dhe frikë,” u shpreh ai.
Sipas tij, familjarët e viktimave nuk kërkojnë drejtësi nga qeveria, por nga SPAK. “Nuk kërkojmë drejtësi nga qeveria, por nga SPAK. Kam bindjen se kjo çështje do të mbyllet pozitivisht dhe gjykata do të dënojë vrasësit, dhunuesit dhe manipuluesit e çështjes,” tha Nika, duke shtuar se përgjegjësia nis që nga Gjykata e Lartë, e cila sipas tij ka certifikuar një gjykim të padrejtë.
Ai bëri edhe akuza politike lidhur me ngjarjen. “Në kuptimin e ekzekutimit, fajtor është ai që e ka ekzekutuar. Në planin politik bëj fajtorë Partinë Demokratike, Sali Berishën; ministër në atë kohë ka qenë Lulzim Basha,” deklaroi Nika. Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi largimin dhe fshehjen e personave përgjegjës, si dhe mbi manipulimin e provave.
Sipas tij, prokurori i çështjes po heton aktualisht procedurat e ndjekura, ndërsa familjarët shpresojnë që procesi të çojë në zbardhjen e plotë të së vërtetës dhe në vendosjen e drejtësisë për ngjarjet e 21 Janarit.
