Një skemë mashtrimi e lidhur me call center-e që operonte në zemër të Tiranës u zbulua pak ditë më parë, ndërsa SPAK lëshoi disa urdhër-arreste. Kreu i partisë ‘Mundësia’ Agron Shehaj, në programin e drekës në News24 denoncoi publikisht atë që e cilësoi si një skandal të hapur, duke vënë në pikëpyetje rolin dhe dijeninë e institucioneve shtetërore.
Sipas Shehajt, në një nga kullat më të shtrenjta të kryeqytetit, dy kate përdoren nga shtetas shqiptarë dhe italianë për veprimtari të dyshimta financiare, ndërkohë që, sipas tij, policia dhe autoritetet nuk kanë ndërhyrë.
“Në mes të Tiranës, në një nga kullat më të shtrenjta, dy kate të saj përdoren nga shtetas shqiptarë dhe italianë, dhe policia s’di asgjë! Duhet të vijë një gazetar nga Italia dhe të thotë: ja ku janë. A ka mundësi që policia, ministria apo qeveria të mos jenë në dijeni të kësaj gjëje? Këto qendra Forex janë në të gjithë Shqipërinë. Ndaj kemi kërkuar interpelancë me ministren e Brendshme, se si ka mundësi që të vijë një gazetar të zbulojë këtë skemë!”, u shpreh Shehaj.
Ai shtoi se qendra të tilla Forex operojnë në të gjithë vendin dhe se rasti i zbuluar në Tiranë nuk është i izoluar. Për këtë arsye, Shehaj bëri të ditur se është kërkuar interpelancë me ministren e Brendshme, për të sqaruar se si është e mundur që një skemë e tillë të zbulohet nga media e huaj dhe jo nga institucionet shqiptare.
