Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vijuar fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke u ndalur te marrëdhëniet transatlantike, roli i NATO-s dhe rëndësia strategjike e Groenlandës, në rikthimin e tij të parë në këtë forum gjatë mandatit të dytë presidencial.

Trump theksoi se ka lidhje familjare me Europën, duke kujtuar se prindërit e tij vijnë nga Gjermania dhe Skocia, dhe se SHBA ndan vlera të përbashkëta me kontinentin europian. “Ne besojmë në vlerat që ndajmë me Europën. Duam aleatë seriozë, jo të dobët. Duam që Europa të jetë e fortë, sepse këto janë çështje të sigurisë kombëtare,” u shpreh ai.

Presidenti amerikan tha se asgjë nuk e bën më të qartë situatën aktuale sesa ajo që po ndodh me Groenlandën, duke e cilësuar këtë territor si kyç për sigurinë globale. Ai deklaroi se ka respekt për popullin e Groenlandës dhe për Danimarkën, por nënvizoi se çdo vend anëtar i NATO-s duhet të jetë i aftë të mbrojë territorin e tij.

“Askush përveç SHBA-ve nuk është në gjendje të sigurojë Groenlandën,” tha Trump, duke shtuar se SHBA është një fuqi shumë më e madhe nga sa, sipas tij, e kuptojnë shumë njerëz. Ai iu referua edhe Luftës së Dytë Botërore, duke kujtuar se Danimarka u pushtua shpejt nga Gjermania naziste dhe se SHBA ndërhyri për të mbrojtur Groenlandën, duke vendosur baza ushtarake dhe duke penguar, sipas tij, armiqtë të shtriheshin në hemisferën perëndimore.

Trump deklaroi se pas përfundimit të luftës, SHBA ia riktheu Groenlandën Danimarkës, një vendim që sot, sipas tij, shihet ndryshe. Ai shprehu kritika për atë që e quajti mungesë mirënjohjeje, duke theksuar se rreziqet aktuale globale janë shumë më të mëdha, përfshirë armë të reja, për të cilat tha se nuk mund të flasë publikisht.

Sipas Trump, Groenlanda është një territor i pazhvilluar dhe i pambrojtur, por me një pozicion jashtëzakonisht strategjik, i vendosur mes Rusisë, Kinës dhe SHBA-ve. Ai theksoi se interesi amerikan për këtë territor nuk lidhet me burime natyrore, por me sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Ky ishull i pasiguruar është pjesë e Amerikës së Veriut dhe është kyç për sigurinë tonë. Politika jonë ka qenë gjithmonë të ndalojmë kërcënimet e jashtme nga hemisfera jonë,” përfundoi Trump, duke e vendosur çështjen e Groenlandës në qendër të debatit për sigurinë e NATO-s dhe të Perëndimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb