Pas fjalimit të mbajtur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, presidenti amerikan Donald Trump ka folur në një bashkëbisedim për situatën globale, duke u ndalur veçanërisht te lufta në Ukrainë dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Kievit dhe Moskës.

Trump u shpreh se fillimisht kishte menduar se konflikti do të ishte i lehtë për t’u zgjidhur, por sipas tij, situata është komplikuar nga urrejtja e thellë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. “Ka shumë urrejtje mes Putinit dhe Zelenskyt. Kjo nuk është e mirë. Është një urrejtje jo normale,” deklaroi Trump.

Ai theksoi se si Rusia ashtu edhe Ukraina duan një marrëveshje dhe se SHBA po përpiqet të ndërmjetësojë për arritjen e saj. “Jemi afër. Në shumë momente kemi qenë shumë pranë një marrëveshjeje me Rusinë, por më pas Zelensky refuzon, ose ndodh e kundërta. Është shumë e vështirë të ruash balancën,” u shpreh presidenti amerikan.

Trump e cilësoi situatën në Ukrainë si një “gjakderdhje të tmerrshme”, duke vënë theksin te përdorimi masiv i dronëve në luftë. “Dronët po vrasin mijëra njerëz. Duhet ta ndalojmë këtë,” tha ai.

Presidenti amerikan bëri të ditur se pritet të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë ditës, duke shtuar se palët ndodhen në një moment kyç për arritjen e një pakti. “Janë në një pikë ku mund të bëjnë një marrëveshje. Nëse nuk e bëjnë, janë budallenj, dhe kjo vlen për të dyja palët,” u shpreh Trump, duke shtuar se beson që ata nuk janë të tillë, por se refuzimi i një marrëveshjeje do të ishte një gabim i rëndë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb