Kupa e Botës në ski alpinë mbylli dje etapën e radhës, këtë herë në Kronplatz të Italisë, aty ku u mbajt gara e sllallomit gjigant për femra. Një event i veçantë për Lara Kolturin, pasi skiatorja italiane që përfaqëson Shqipërinë konkurronte në pistën e shtëpisë.

Megjithatë, edhe një herë tjetër, sllallomi gjigant konfirmohet se nuk është pika e fortë për Kolturin, e cila dje pati një paraqitje zhgënjyese, duke qenë larg më të mirave. Lara u pa në vështirësi që në zbritjen e parë, aty ku fiksoi kohën 1:16.42, duke u renditur në vendin e 22-të. Edhe në zbritjen e dytë skiatorja kuqezi ishte larg pritshmërive, teksa e ndali kronometrin në kohë 1:07.54, për t’u klasifikuar sërish e 22-ta.

Ndërkohë, me rezultatin total 2:23.96, Lara Kolturi e përfundoi garën në vendin e 20-të, me diferencë +1.11 nga kreu. Pas garës sekretari i Federatës Shqiptare të Skive, Etrit Xhunglini, theksoi vështirësitë në Kronplatz: “Lara Koltori nuk ishte në formën e saj më të mirë, ndërsa kjo pistë është nga më të vështirat për t’u interpretuar”, u shpreh ndër të tjera Xhunglini për “RTSH”.

Sllallomi gjigant në Kronplatz u fitua nga austriakja Julia Sheib, me kohën e përgjithshme 2:19.85. Në vend të dytë u rendit Kamil Rast e Zvicrës me rezultatin total 2:20.22, ndërsa podiumi u plotësua nga Sara Hektor e Suedisë, e treta me kohën 2:20.31.

Në garën e djeshme mori vëmendje edhe rikthimi i kampiones në fuqi të botës, Federika Brinjones, 292 ditë pas dëmtimit të rëndë. Italiania bëri një paraqitje të mirë, duke zënë vendin e gjashtë me kohën 2:21.08.

RENDITJA E PËRGJITHSHME – Në klasifikimin e përgjithshëm të Kupës së Botës, Mikaela Shifrin mbetet lidere, teksa kryeson me 973 pikë. Në vend të dytë pozicionohet Kamil Rast me 833 pikë, ndërsa treta renditet Ema Aisher e Gjermanisë me 598 pikë. Për sa i përket Lara Kolturit, skiatorja kuqezi ka humbur një tjetër pozicion në klasifikimin e përgjithshëm pas garës në Kronplatz, duke zbritur në vendin e dhjetë, me 445 pikë. Megjithatë, Lara vijon të mbetet më e mira në klasifikimin e të rejave deri në moshën 21 vjeçare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb