Historia e afërt kishte ushqyer iluzionin e një bote të rregulluar nga norma të përbashkëta, ku diplomacia shumëpalëshe dhe e drejta ndërkombëtare përbënin shtyllat e stabilitetit global. Ky iluzion po shembet me shpejtësi. Në lindje të kontinentit evropian, lufta e zhvilluar nga Rusia në Ukrainë ka rikthyer përdorimin e forcës ushtarake si mjet politik. Në perëndim, po shfaqet një formë tjetër presioni, më e rafinuar por po aq destabilizuese: presioni ekonomik, strategjik dhe tashmë edhe komunikues, i ushtruar nga Shtetet e Bashkuara nën impulsin e Donald Trump. Midis këtyre dy poleve, Europa gjendet e shtrënguar, e detyruar të rishikojë urgjentisht vendin dhe instrumentet e saj në një botë ku forca po zë gjithnjë e më shumë vendin e negociimit.

Lufta në Ukrainë përbën një tronditje të rëndësishme strategjike për Europën. Me nisjen e operacioneve ushtarake në shkallë të gjerë, Moska ka vënë në provë sovranitetin e një shteti fqinj dhe arkitekturën e sigurisë evropiane të pasluftës. Argumentet e paraqitura nga Kremlini, siguria, historia dhe sferat e influencës, pasqyrojnë një qasje ku raporti i forcës mbetet i pranishëm. Përballë kësaj situate, Bashkimi Europian ka reaguar me sanksione dhe mbështetje për Kievin, duke treguar unitet, por edhe nevojën për një qasje më të konsoliduar.

Në këtë kontekst tashmë të brishtë, në fillim të vitit 2026 u shtua një episod i papritur, por domethënës: publikimi nga Donald Trump i shkëmbimeve private diplomatike me disa udhëheqës evropianë. Në janar, ish-presidenti amerikan shpërndau në rrjetin e tij Truth Social pamje të mesazheve SMS me krerë shtetesh dhe qeverish, duke thyer me vetëdije rregullat bazë të praktikës diplomatike. I paraqitur si një akt transparence, ky veprim pasqyron në realitet një strategji të qëllimshme presioni, e cila kombinon dimensionin personal, levat ekonomike dhe një komunikim politik të drejtpërdrejtë me mbështetësit e tij.

Një nga mesazhet më të komentuara lidhet me Groenlandën, territor autonom danez që është shndërruar në një nyje kyçe të rivalitetit strategjik në Arktik. Donald Trump publikoi një SMS të presidentit francez Emmanuel Macron, në të cilin ky i fundit pranonte se “nuk i kuptonte qartë” synimet amerikane për këtë territor. Duke ekspozuar këtë paqartësi, Trump nuk synonte të ndriçonte debatin, por të impononte idenë se kontrolli amerikan mbi Groenlandën është tashmë një “imperativ i sigurisë kombëtare”. Publikimi kishte një funksion të qartë: të shndërronte pasigurinë evropiane në dobësi publike dhe të impononte një kornizë interpretimi të njëanshme.

Kjo rrjedhje informacioni erdhi pak pasi Emmanuel Macron refuzoi t’i bashkohej projektit trumpian të “Këshillit të Paqes”, një nismë diplomatike e konceptuar dhe e mbajtur fort në plan personal. Reagimi nga ana amerikane ishte i shpejtë, me paralajmërime për tarifa doganore që mund të arrinin deri në 200% mbi verërat dhe shampanjat franceze. Kështu, lidhja mes mospajtimit politik dhe presionit ekonomik u bë e dukshme. Publikimi i mesazhit kontribuoi në dobësimin e pozicionit të presidentit francez në hapësirën publike, ndërsa deklaratat e Donald Trump shërbyen si sinjal për kryeqytetet e tjera evropiane se qëndrimet e pavarura mund të shoqërohen me pasoja të drejtpërdrejta.

Sekuenca vijoi edhe më tej. Donald Trump publikoi gjithashtu një mesazh të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili shprehte gatishmëri për të diskutuar çështjen e Groenlandës. Duke vënë në pah këtë qëndrim, Trump kërkoi të nënvizonte dallimet brenda Aleancës Atlantike, duke kontrastuar qasjet më të kujdesshme të disa udhëheqësve evropianë me ato të paraqitura si më fleksibile. Ky ekspozim selektiv i komunikimeve private nuk synonte konsolidimin e NATO-s, por pasqyronte një qasje ku menaxhimi i dallimeve të brendshme shërben si instrument për të rritur avantazhin negociues.

Dimensioni personal u bë edhe më i dukshëm në një tjetër mesazh të publikuar, këtë herë drejtuar kryeministrit norvegjez, ku Donald Trump shprehte zhgënjimin që nuk kishte marrë Çmimin Nobel për Paqen vitin e kaluar. Kjo formë e ashtuquajtur “diplomaci me SMS” e ekspozon rrallëherë kaq hapur ndërthurjen mes emocioneve personale dhe qëndrimeve ndërkombëtare të një lideri. Episodi nënvizon se, në logjikën trumpiane, prestigji individual dhe interesat strategjike bashkëjetojnë pa një ndarje të qartë mes sferës private dhe asaj politike.

Për Evropën, kjo sekuencë përbën një sinjal të qartë alarmi. Ajo tregon se presioni nuk kufizohet më vetëm në dimensionin ushtarak apo ekonomik, por shtrihet tashmë edhe në vetë praktikën e komunikimit diplomatik. Konfidencialiteti, një nga shtyllat tradicionale të diplomacisë, shndërrohet kështu në një instrument të ekspozueshëm dhe potencialisht të manipulueshëm. Në këtë kuadër, synimi duket i qartë: nxitja e ndarjeve brenda Evropës, dobësimi individual i udhëheqësve të saj dhe orientimi i negociatave mbi baza asimetrike, veçanërisht në prag të takimeve të rëndësishme ndërkombëtare si Forumi i Davosit.

Përballë këtij presioni të dyfishtë ushtarak në lindje, politik dhe ekonomik në perëndim, Bashkimi Europian përballet me kontradiktat e veta strukturore. Fuqi tregtare e dorës së parë, ai vazhdon të hezitojë në shndërrimin e tij në një aktor gjeopolitik plotësisht sovran. Në këtë kontekst, Emmanuel Macron ka bërë thirrje të përsëritura për “autonomi strategjike evropiane”, duke nënvizuar se Europa nuk mund të mbështetet pafundësisht në garanci të jashtme, ndërkohë që i nënshtrohet presioneve të tyre. Kjo rritje e ndërgjegjësimit ka favorizuar zhvillimin e instrumenteve të reja, si Instrumenti Anti-Shtrëngim (Anti-Coercion Instrument, ACI) i konceptuar për t’iu përgjigjur presioneve ekonomike nga jashtë, i cili në rrethanat aktuale fiton një domethënie gjithnjë e më konkrete.

Por thelbi i çështjes shkon përtej mekanizmave teknikë. Bëhet fjalë për një zgjedhje strategjike themelore. Ose Europa pranon të mbetet një hapësirë e hapur dhe e ekspozuar ndaj raporteve të forcës të imponuara nga aktorë të tjerë, ose ajo merr përsipër përgjegjësitë që lidhen me fuqinë: parandalimin, unitetin politik dhe aftësinë për të reaguar, përfshirë edhe përdorimin e mjeteve shtrënguese, kur interesat e saj thelbësore vihen në rrezik.

Ukraina dhe Groenlanda, ndonëse të largëta në hapësirë, pasqyrojnë të njëjtin ndryshim epokal: rikthimin e presionit si instrument kryesor të politikës ndërkombëtare. Në këtë kontekst, Europa nuk mund të mbështetet vetëm në autoritetin e normave kur këto sfidohen pa hezitim. Sfida e saj thelbësore është të shndërrojë koherencën në fuqi dhe diplomacinë në aftësi reale veprimi. Në një shekull XXI të shënuar nga rikthimi i raporteve të forcës, pesha e Europës nuk do të matet më nga vlerat që ajo shpall, por nga kapaciteti i saj për t’i mbrojtur ato.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: