Partia Demokratike ka vijuar turin e Foltoreve. Në fjalën e saj Jorida Tabaku theksoi se fokusi kryesor duhet të jenë shqetësimet e shqiptarëve.

Gjithashtu nënvizoi Partia Demokratike ka treguar se di t’i përgjigjet sfidave të kohës dhe se është e vendosur për të çuar rrugëtimin e nisur deri në fund.

“Duhet të flasim dhe të tregojmë guxim për të ndryshuar dhe përmirësuar Partinë Demokratike. Duhet t’i përgjigjemi sfidave që koha, duhet patjetër të fokusohemi të shqetësimet që kanë shqiptarët. Ne duhet t’i përgjigjemi sfidave të kohës, do të flasim për sistemin e kapur. A kemi gabuar ne? Po plot herë. A jemi rrëzuar? Po por jemi ngritur sërish në këmbë. Na duhet mbështetja juaj që këtë rrugëtim që kemi nisur ta çojmë deri në fund”, tha ajo.

Fjala e deputetes së PD, Jorida Tabaku:

I nderuar zoti Berisha, kryetar i Partisë Demokratike, të nderuar demokratë, demokrate, e dashur Floriana, i dashur Belind, i dashur Henri. Ne këtu me njëri-tjetrin kemi ndarë bashkë shumë sfida në katër vitet e fundit dhe besoj të gjithë jemi koshientë që nuk është një kohë e mirë, është një kohë e vështirë për Shqipërinë e për shqiptarët. Dhe në këto momente, reflektimi, mendimi nuk është luks, është detyrim. Dhe ky proces që Partia Demokratike po bën, unë besoj që është një nga proceset më të rëndësishme që ne mund të kishim kryer pikërisht sot.
Secili prej jush ka dhënë shumë nga vetja. Ka dhënë nga familja, ka dhënë nga qetësia e vet, ka dhënë punën, ka dhënë kohën për ta mbajtur gjallë dhe në këmbë Partinë Demokratike. Për njerëzit që kanë qëndruar edhe kur ishte më e lehtë të largoheshe. Për ata që nuk kanë kërkuar kurrë asgjë, e shumë prej jush këtu në 12 vjet vite nuk kanë kërkuar kurrë asgjë. Unë personalisht ndjej një borxh të thellë, ndjej njëkohësisht një mirënjohje dhe një respekt për të gjithë punën, angazhimin dhe veçse falënderime për atë që keni bërë në majin e vitit të shkuar, që nuk ishte hera e parë në fakt. E keni bërë sa herë që ka pasur zgjedhje.
Të gjithë e dimë që Partinë Demokratike e ka përpara një rrugë të vështirë, të mundimshme. Por aq e dimë se kjo nuk është e pamundur. Historia nuk njeh fitore të lehta. Por sigurisht, për ato që duan ta ndryshojnë këtë vend dhe objektivi jonë është pikërisht për të ndryshuar këtë vend, kjo është mëse e arritshme. Rruga e drejt ringritjes së Partisë Demokratike kërkon guxim. Kërkon edhe guximin për të ndryshuar veten, por nga ana tjetër kërkon dhe vendosmëri. Për të ndryshuar mënyrën se si bëjmë politikë, se si hapemi, se si e bëjmë Partinë Demokratike shtëpinë e gjithë shqiptarëve, si dëgjojmë e si i përgjigjemi realitetit të sotëm.
Kjo nuk bëhet thjesht sepse ka ardhur koha për të ndryshuar. Por bëhet për të respektuar të gjithë demokratët e thjeshtë, për t’ju respektuar juve. Për të respektuar ata që kanë punuar me mish e me shpirt. Për të respektuar ata që janë themeli jonë e që do të vazhdojnë të jenë themeli jonë, anëtarët e Partisë Demokratike. Në këto 12 vjet vite opozitë ne kemi parë e kemi dëgjuar shumë. Kemi qenë të goditur edhe nga një sistem i kapur. Ndonjëherë edhe jemi lodhur nga beteja. Me pak mençuri mund t’i kishim evituar shumë nga ato që kemi kaluar veçanërisht në katër vitet e fundit. Por një gjë e kemi mësuar: Që Partia Demokratike është rezistente. Partia Demokratike është këtu, është në këmbë.
Kemi mësuar të debatojmë, kemi mësuar të shërojmë edhe plagë që shpeshherë ja kemi hapur njëri-tjetrit. Por nga ana tjetër kemi mësuar edhe të flasim, të mos heshtim. Sepse fjala është e shenjtë në këtë parti e unë besoj e shpresoj shumë që kjo do të ndodhë: të flasim, të tregojmë guxim për ta ndryshuar e përmirësuar Partinë Demokratike. Prandaj gjithçka që po ndodh sot në Partinë Demokratike unë e shoh jo si një kritikë, por e shoh si një lëvizje për ta përmirësuar. Nuk e shoh si një ndarje, por e shoh si një mënyrë për t’u rritur, një mënyrë për t’u zgjeruar. E shoh si një kërkesë edhe për t’u përmirësuar.
Të dashur miq, shumë nga ju përballen çdo ditë me problemet që kanë shqiptarët. Sa herë që shohim fëmijë të vegjël në rrugët e rrugicat e degës, në zonën tonë, të gjithë e kuptojmë barrën e rëndë e vështirësitë ekonomike që kanë familjet. Sa herë që secili prej jush shkon e përballet me çmimet e larta, përballet me situatën e vështirë ekonomike, ju e dini, e përjetoni më shumë se kushdo, ndoshta më shumë se ne, vështirësinë e jetës. Sa herë që shohim fëmijët që përballen me një sistem arsimor i cili sot është më keq se ç’ka qenë ndonjëherë në 34 vite. Sa herë që shohim profesionistë që e kanë të pamundur që të ushtrojnë profesionin e tyre këtu e detyrohen të largohen nga Shqipëria, ne e dimë se vendi jonë çdo ditë po humb njerëz. E ne duhet të jemi në lartësinë e detyrës për të bërë të pamundurën që t’i përgjigjemi sfidave që ka koha e t’i përgjigjemi qytetarëve shqiptarë me ofertën më të mirë të mundshme.
A mendoni se debatet tona të brendshme janë më të mira dhe i shërbejnë më shumë shqiptarëve se këto nevoja që kanë shqiptarët? Unë mendoj që jo. Ne duhet patjetër, duhet patjetër të fokusohemi te këto shqetësime që kanë shqiptarët. Ka vend dhe për të bërë Partia Demokratike plot debate, ka forume të brendshme. Ka vende se ku mund ta thotë mendimin ndryshe, në strukturat e partisë. Por ne duhet patjetër t’i përgjigjemi sfidave të kohës, duhet patjetër që të mbrojmë shpresën për shqiptarët, duhet patjetër të flasim për sistemin e kapur, duhet patjetër të flasim për çdo gjë që sot punon kundër demokratëve e kundër Shqipërisë.
Ne nuk mund të pretendojmë që s’ka ndodhur asgjë. A kemi gabuar? Plot herë. A jemi rrëzuar? Po, jemi rrëzuar plot herë. Por sot kemi nevojë që të ngrihemi në këmbë, më të fortë se kurrë, t’i japim Shqipërisë ofertën më të mirë të mundshme, alternativën më të mirë që jam e sigurt e jep vetëm Partia Demokratike.
Me mirënjohje më të thellë për punën e për bashkëpunimin, me shpresën e një bashkëpunimi akoma dhe më të mirë, duke e ditur që ditë më të mira do të vijnë jo vetëm për Partinë Demokratike, por për Shqipërinë e për shqiptarët. Unë ju falënderoj me respektin më të thellë dhe kërkoj mbështetjen tuaj që këtë rrugëtim që kemi nisur ta çojmë deri në fund.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: