Drejtuesi politik i PD, Belind Këlliçi, gjatë fjalës së mbajtur në njësinë nr.2 në Tiranë, duke folur para demokratëve tha se 24 janari është një ditë decizive për Shqipërinë.

Këlliçi tha se Rama nuk bën zgjedhje, por bën farsa elektorale, teksa u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së opozitës.

“Visi ruante mesazhet e Belindës, Belinda ruante mesazhet e Palloshit dhe Gysi i filmonte të gjithë. Kjo është qeveria e Edi Ramës. Të dashur miq, ditën e shtunë në datë 24 Janar në orën 17:00 të mblidhemi të gjithë para kryeministrisë për t’i vënë dërrmën një herë e mirë kësaj klike dhe grupi të strukturuar kriminal që është unik në Europë dhe më gjerë.

Kryeministri pi 33 mijë euro shishen e verës, kurse ne jemi këtu në betejë dhe që nga 24 janari do ia dalim në këtë betejë, sepse jemi për çdo shqiptar, për çdo socialist të ndershëm, sepse as Gysi, as Linda, as Belinda dhe as Rama nuk janë qytetarë të ndershëm”, tha drejtuesi politik i PD për Tiranën, Belind Këlliçi.

Fjala e Belind Këlliçit

E mbani mend mjaft mirë për 20 muaj me radhë betejën e Partisë Demokratike, të funksionarëve të saj duke nisur nga doktor Berisha, të gjithë zyrtarëve të saj, të deputetëve, për të denoncuar goditjen që i ndodhte në mënyrë permanente opozitës dhe Partisë Demokratike, jo nga një gjyqtare, as me tre as me 300 mbiemra siç është Irena Gjoka Shpata Maneku, por nga një ministre dhe ushtare e Edi Ramës e cila kishte për detyrë të godiste Partinë Demokratike dhe ta zhbënte atë. Ditën e djeshme është faktuar me zë dhe me figurë para gjithë qytetarëve shqiptarë, ajo çka ka thënë Partia Demokratike për 20 vite.

Që kjo gjyqtare e padenjë për të qenë gjyqtare, kjo kamikaze politike, kjo ministre e kabinetit Rama, është në detyrë vetëm për të goditur opozitën. Dhe për rrjedhojë në ato 20 muaj që u vonua prokuroria e përgjithshme të faktonte atë çka e dinte mbarë bota, çfarë ndodhi?

Sali Berishën kjo gjyqtare e izoloi për 333 ditë në shtëpi pa të drejtë. Sot Gjykata Kushtetuese na jep të drejtë. Sot del që Irena Gjoka Shpata Maneku me vërtetë paska qenë dy herë e dëbuar, ka mashtruar dhe nuk do të jetë më gjyqtare.

Por ama ata ia dolën që për një moment ta ndalonin Partinë Demokratike. Doktor Berisha, kreu i opozitës u burgos padrejtësisht 333 ditë, një vit para zgjedhjeve, në shtëpi. Fatmir Mediu vijon të gjykohet sot dhe të kërcohet me proces politik.

Presidenti Meta u mor zvarrë në mes të rrugës për të dhënë një mesazh të qartë që kushdo që është kundër Edi Ramës do të ketë këtë fund.

E ndërkohë Partia Demokratike nuk rreshti së protestuari, së denoncuari, derisa edhe dje u faktua i gjithë ai rrugëtimi i yni dhe të gjitha ato akuzat tona si të vërteta. Unë ju falënderoj për qëndresën që keni bërë, për betejën epike që keni bërë për çdo votë. Imagjinoni vetëm diçka, sa herë që jeni të tulatur apo të mërzitur mos harroni, që edhe në një farsë elektorale siç ishte 14 Maji, ku ajo farsë është damkosur tashmë me shtatë rezoluta ndërkombëtare nga organizatat më të mëdha botërore të qendrës së djathtë dhe të majta, prapë ne na besuan gjysëm milioni shqiptarë.

Njerëz të lirë, njerëz që duan ndryshimin, guximtarë që vajtën edhe duke qenë të koshientë se është një farsë elektorale sërish kërkuan ndryshimin dhe votuan Partinë Demokratike. Por ju e dini mjaft mirë, jeni çdo ditë në rrugë, në rrugica, në lagje, në punë, në pranë miqve tuaj, të afërmve tuaj dhe e shihni padurimin e madh të njerëzve për ndryshimin. Por ne kemi një sfidë shumë të madhe që atë çka njerëzit e thjeshtë mbase për një moment nuk kanë kurajo ta kërkojnë, nuk kanë guximin tuaj ta arrijnë, duhet t’i prijmë ne kësaj beteje. 24 Janari është ditë deçizive për ne dhe për gjithë Shqipërinë.

Dy fjalë shumë shkurt do t’ju them për forumin e Davos-it ditën e sotme, madje erdha i përgatitur e mbajta dhe shënim sepse më bëri shumë përshtypje. Ndërkohë që në fjalën dhe në adresimin e presidentit Trump dëgjoje për momentin që bota po kalon ndryshime shumë të mëdha për shkak të zhvillimeve shumë të shpejta dhe transformimin që sjell teknologjia, inxhinieria, kreativiteti dhe planet e Trump-it dhe të gjithë perëndimit, botës perëndimore në vijim për rritjen e mëtejshme, zhvillimin, prosperitetin e kombeve, në një moment ndal dhe mendon: po ne?

Po Shqipëria ku është? Ku hyn Shqipëria në këto zhvillime që po i prek i gjithë perëndimi?

Ne për fatin tonë të keq jemi jashtë çdo forumi të tillë. Jemi jashtë çdo iniciative të tillë. Jemi jashtë dhe të fundit në çdo listë, në çdo renditje ndërkombëtare dhe botërore përsa i përket mirëqënies, rritjes ekonomike, zhvillimit arsimor e tjerë e tjerë. Ndërkohë që e mbarë bota flet për zhvillim, për transformim të jashtëzakonshëm për shkak të teknologjisë, ne kemi një park bosh në Xhafzotaj, një lëndinë ku fiktivisht janë të regjistruar klientët e qeverisë për të shmangur pagesën e taksave. Në Davos sot ishin gjigantët e teknologjisë dhe aty flitej për botën që po vjen, ndërkohë që në Tiranë shteti ka ngritur zyra mashtrimi të cilat rrjepin qytetarët europianë, kryesisht italianët dhe gjermanët me Call Center-a me liçencë të mbrojtur nga qeveria e Edi Ramës dhe familja e tij.

Sot është e paimagjinueshme se sa mbrapa ka mbetur Shqipëria për shkak të këtij individi. Ne në këtë sallë sot në 2026-ën në vend që të flasim për këto çështje, sërish mblidhemi për një çështje madhore: zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në Shqipëri sot prapë nuk bëhen zgjedhje. Pse? Për shkak të një individi që quhet Edi Rama. Unë të dashur miq nuk dua të zgjatem më shumë, përveçse t’ju them pafundësisht faleminderit për punën, për kurajon, për mbështetjen, për guximin.

Është shumë e vështirë sot të jesh opozitar. Në një Shqipëri të plakur dhe të mpakur, në një Shqipëri ku kanë mbetur rreth dy milionë banorë, në një Shqipëri ku shteti pothuaj kontrollon gjithçka, çdo aspekt të jetës shoqërore dhe profesionale dhe ekonomike, unë e di që është shumë e vështirë të jesh në opozitë. E di që është shumë e vështirë të kesh një biznes të vogël dhe ta ngresh zërin kundër qeverisë. Megjithatë ju, demokratët, anëtarësia, jeni guximi dhe shpresa për çdo qytetar shqiptar.

Unë personalisht jam krenar që jam pjesë e kësaj force politike dhe jam i lumtur që në vend të isha në sallat e qeverisë ku sot kryeministri pi 33 mijë euro shishen e verës, jam këtu mes ëndrimtarëve, guximtarëve, demokratëve, njerëzve të thjeshtë që do ta ndrojnë Shqipërinë, që do të fitojnë betejën dhe që pa diskutim duke nisur nga data 24 Janar e në vijim do t’ia dalin betejës së tyre që nuk është për PD-në dhe për një forcë politike, por është për gjithë Shqipërinë. Ne jemi në betejë për çdo shqiptar, edhe për socialistë të ndershëm.

Sepse nuk është as Gysi, as Mirlinda, as Linda, as Belinda dhe as Edi Rama nuk janë socialistë të ndershëm apo qytetarë të ndershëm të këtij vendi. Janë thjesht një grup i strukturuar kriminal, ku e keni parë mjaft mirë dhe po e rikthej dhe njëherë atë çka kam thënë një muaj më parë, mënyrën si funksionon kjo qeveri. Kjo qeveri mjafton të kuptoni: Visi ruante mesazhet e Belindës, Belinda ruante mesazhet e Palloshit dhe Gysi i filmonte të gjithë. Kjo është qeveria e Edi Ramës. Të dashur miq, ditën e shtunë në datë 24 Janar në orën 17:00 të mblidhemi të gjithë para kryeministrisë për t’i vënë dërrmën një herë e mirë kësaj klike dhe grupi të strukturuar kriminal që është unik në Europë dhe më gjerë. Faleminderit dhe mirënjohje pafund për demokratët e njësisë numër 2, për strukturën e kësaj force politike në këtë degë dhe për gjithë demokratët që na ndjekin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb