Me 80 vota pro dhe 22 kundër është miratuar kërkesa e grupit parlamentar të PD për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit sa i përket ftesës së Donald Trump për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, një nismë kjo e shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi ka shtyrë me një orë seancën, ku tha se fillimisht duhet që të mblidhet Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme, e më pas projektligji të kalojë sërish në seancë.

Gjatë punimeve në Kuvend, fjalën e mori kreu i grupit parlamentar të Partë Socialiste, Taulant Balla, i cili vuri në dukje rëndësinë e kësaj nisme.

Balla deklaroi në fjalën e tij në Kuvend se sot Kuvendi i Shqipërisë thirret për të marrë një vendim me një peshë tepër të veçantë politike dhe historike, që shkon përtej rendit të zakonshëm të ditës dhe lidhet drejtpërdrejt me rolin e ri të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Shqipëria nuk ftohet si vëzhguese, por si bashkarkitekte në ndërtimin e një mekanizmi të ri ndërkombëtar për paqen”, u shpreh Balla, duke theksuar se ky zhvillim e vendos vendin nga periferia e diskutimeve globale në qendër të vendimmarrjes ndërkombëtare”, tha Balla ndër të tjera.

Nga krahu opozitës fjalën e mori kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili tha se, “ne jemi pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes dhe i kërkojmë autorizim Presidentit të Republikës, në përputhje me Nenin 84 të Kushtetutës, që të japë miratimin për hyrjen e menjëhershme në fuqi të këtij projektligji. Kështu zgjidhim ngërçin kushtetues, respektojmë Kushtetutën dhe arrijmë qëllimin të paktën pesë herë më shpejt nga sa propozoni ju”, tha Bardhi.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiset, Balla duke iu përgjigjur Bardhit tha se opozita ndryshe flet dhe ndryshe sillet.

“Kam përpara një kërkesë të firmosur nga deputeti që sapo foli, i cili për këtë shkelje që paskemi sjellë ne ka propozuar amendamente. Ej, ndryshe themi, ndryshe bëjmë, ç’të bëjmë ne të shkretët se ç’na ka gjetur me ju”, tha Balla.

“Sa i përket kërkesës, pa dyshim që të mblidhet në Komisionin e Jashtëm. Do të shqyrtohen dhe kërkesat tuaja”, vijoi Balla.

Ai tha se opozita duhet ta lërë “teatrin”. “E para, kur bëhet fjalë për angazhim ndërkombëtar dhe pjesëmarrje në organizatat ndërkombëtare, institucioni i Presidentit të Republikës është përfshirë, sepse brenda gjithë dosjes përkatëse do të keni edhe plotfuqishmëritë apo autorizimin e Presidentit të Republikës, që ta dini këtë gjë, se ndoshta ju ka shpëtuar. Shqipëria, edhe Kryeministri vetë, nuk ka kohë për të humbur, por të marrë menjëherë detyrat që burojnë nga pjesëmarrja në këtë Kartë të Bordit të Paqes”, përfundoi replikën Balla.

Kuvendi një ditë më parë sqaroi se, duke qenë se pjesëmarrja e Republikës së Shqipërisë në Bordin e Paqes konsiderohet zhvillim me rëndësi të veçantë për politikën e jashtme dhe diplomacinë e vendit, kërkesa për miratimin e këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar bëhet në përputhje me parashikimin e Nenit 83, pika 2, të Kushtetutës.

Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes. Këshilli i Ministrave ka miratuar, në parim, marrëveshjen më 21 janar.

Marrëveshja synon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare, me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit, rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme e të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Bordi i Paqes do të ndërmarrë funksione të tilla të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe në përputhje me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe përhapjen e praktikave më të mira të mundshme për t’u zbatuar nga të gjitha shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.

Seanca plenare u kërkua pasditen e sotme nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste përmes një shkrese zyrtare, për ratifikimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb