Presidenti Bajram Begaj autorizon kryeministrin Edi Rama për pjesëmarrjen në Bordin e Paqes, një nismë kjo e krijuar nga presidenti i SHBA, Donald Trump për zgjidhjen paqësore të konflikteve në botë dhe garantimin e sigurisë globale.
Dokumenti është firmosur një ditë më parë nga kreu i shtetit.
“… Autorizoj SH.T.Z Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, për nënshkrimin e “Marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri z.Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, miratuar në parim me vendim nr.45, datë 21.1.2026, të Këshillit të Ministrave.
Kompetencat, të drejtat dhe detyrimet për lëshimin e plotfuqisë, si dhe të përfaqësimit të Republikës së Shqipërisë, sipas këtij autorizimi, nuk mund të delegohen tek asnjë autoritet apo organ tjetër publik. Ushtrimi i tyre nga autoritetet e përcaktuara në këtë autorim është i detyrueshëm sipas ligjit”, thuhet në dokumentin e firmosur nga kreu i shtetit.

Sot, qeveria dërgoi në Kuvend projektligjin që pritet të miratohet pas diskutimeve në seancë plenare.
Më herët, Komisioni i Jashtëm miratoi me 13 vota draftin duke ia kaluar Kuvendit për votim.
