Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në Kuvend gjatë seancës për ratifikimin e ftesës së Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një nismë e ideuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në fjalimin e tij, Rama e cilësoi këtë akt si një shprehje vullneti të mirë dhe një përgjegjësi që Kuvendi i Shqipërisë duhet ta marrë sa herë që në tryezë vihet çështja e paqes.
“Sot ky Kuvend mblidhet për të ratifikuar një akt të vullnetit të mirë, të cilin Shqipërisë, në radhë të parë kësaj mazhorance, por edhe krejt Kuvendit, i takon ta bëjë sa herë vjen fjala për paqen”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se mazhoranca qeverisëse, për tre mandate radhazi, e ka shndërruar Shqipërinë në një zëdhënëse dhe punëtore të paqes në një rajon të trazuar, edhe në raste kur ky qëndrim është keqinterpretuar apo etiketuar si “tradhti”.
“Kjo etiketë ka qenë prova më e madhe e paqedashjes sonë”, tha Rama, duke shtuar se Shqipëria ka çuar përkushtimin ndaj paqes në nivele të larta ndërkombëtare, si kryesimi i OSBE-së dhe pjesëmarrja aktive në tryezat e OKB-së.
Duke bërë një krahasim me të kaluarën, Rama u ndal edhe te imazhi i Shqipërisë ndër vite. Ai kujtoi se një dekadë më parë vendi shihej si një “ishull” që përmendej vetëm për lajme të këqija, ndërsa shqiptarët në botë perceptoheshin përmes stereotipeve negative.
“Sot ai ishull ka aeroportin me rritjen më të lartë në Evropë dhe të parin në rajon, duke lënë Beogradin në vend të dytë”, deklaroi kryeministri.
Në kontekstin e tensioneve globale dhe presionit të shtuar mbi paqen, Rama e cilësoi ftesën personale nga presidenti amerikan për t’u bërë anëtar themelues i Bordit të Paqes si një nder të veçantë për Shqipërinë.
“Jo se jemi të mëdhenj, por sepse na jepet mundësia të rritemi si shtet, duke zgjeruar dijen dhe forcuar vetëdijen tonë si punëtorë të paqes”, theksoi ai.
Në fund të fjalës së tij, Rama kritikoi opozitën, duke deklaruar se, sipas tij, “humbësit kronikë” po përpiqen edhe këtë herë të zhvlerësojnë një mundësi për Shqipërinë.
“Duan të humbasin edhe këtë rast, duke vazhduar të bindin shqiptarët se nuk vlejnë për gjë tjetër veçse për të përfaqësuar humbjen në të gjitha format e saj”, përfundoi kryeministri.
