I pandehuri Petrit Qoli është marrë në pyetje nga SPAK në kuadër të procesit për “Plumbin e artë”, ndërkohë që akuzohet si i përfshirë në vrasjen e Fatmira Dedës, ndërkohë ka dhënë detaje mbi aktivitetin e tij profesional ndër vite, burimet e të ardhurave dhe lidhjet familjare. Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb dëshminë e Qolit. Ai deklaroi se nga viti 2002 deri në 2013 ka punuar si kapiten anijeje peshkimi, duke pasur në pronësi anijet “Dibra” dhe “Sazani”. Ai shtoi se ka përfunduar edhe Fakultetin e Drejtësisë në universitetin “Kristal”, ndërsa paralelisht është marrë me ndërtim, duke ndërtuar 8–9 pallate.
“Më vjen turp ta them, por kam edhe fakultet Juridiku. Ndërkohë jam marrë edhe me ndërtim dhe kam bërë disa pallate”, u shpreh Qoli. I pyetur nga prokurori Behar Dibra mbi nisjen e aktivitetit në ndërtimtari, Qoli tha se ideja i kishte ardhur nga kushëriri i tij, Mustafa Laço, ndërtues prej vitesh. Ai sqaroi se ndërtimin e parë e kishte realizuar pranë zonës së gropës arkeologjike, pas Pallatit të Kulturës, duke deklaruar se kishte në dispozicion rreth 300 mijë marka, të siguruara nga aktiviteti i peshkimit.
Sa i përket vëllait të tij, Festim Qoli, i pandehuri tha se ai kishte pasur disa biznese, si bar-kafe dhe palestër, të cilat i kishte ndërtuar vetë. Sipas tij, Festimi ishte marrë edhe me tregti makinash të dubluara dhe kishte lidhje me shtetas italianë. “Është fatkeqësi për familjen tonë”, u shpreh Qoli, duke shtuar se nuk kanë punuar kurrë bashkë.
Ai foli edhe për kushëririn e tij Agron Qoli, të cilin e përshkroi si “djalë model” dhe ndërtues, por theksoi se nuk kanë pasur bashkëpunime biznesi. Gjatë dëshmisë, Qoli pranoi se ka udhëtuar shpesh jashtë shtetit për shkak të aktivitetit të tij me anije peshkimi, ndërsa për Festim Qolin deklaroi se kishte lidhje familjare me një shtetase bullgare të pasur, e cila merrej me tregtinë e inerteve dhe zotëronte edhe pasaportë britanike. Në fund, Qoli theksoi se të gjitha pronat i ka të hipotekuara dhe se ndërtimet i ka ndjekur personalisht. “Nuk hidhej beton pa qenë unë aty. Jam autodidakt”, përfundoi ai.
DESHMIA
Qoli: Nga 2002 deri në 2013 kam patur anije peshkimi, kam punuar si kapiten anijeje. Anija ‘Dibra’ dhe ‘Sazani’. Më vjen turp ta them, por kam edhe fakultet juridik, te Kristali. Ndërkohë kam bërë dhe 9 pallate, jam marrë edhe me ndërtim.
Behar Dibra: Idenë për ndërtimtari, nga e more?
Qoli: Kam kushëri Mustafa Laçon. Është ndërtues, duhet të jetë 80 vjeç. I thashë kam 300 mijë marka. Ndërtimin e parë e kam bërë te gropa arkeologjike, mbrapa Pallatit të Kulturës.
Prokurori Dibra: Ku i gjete këto lekë?
Qoli: Nga peshkimi, kam patur gjithmonë anije të thashë. Kam një vëlla që mos e paça, Festim Qolin. Edhe motër, Rezana Qoli.
Prokurori Dibra: Ndërkohë që ju merreshit me peshkim vëllai me çfarë merrej?
Qoli: Kishte 5 biznese, bar kafe, palestër. Unë ia kisha ndërtuar. Festimi ka qenë mjeshtër për makinat e vjedhura. Gjithmonë është marrë me tregti makinash, të dubluara. Kishte shumë miq italianë. Më pas u shtrëngua puna. Ku e di unë ku i njohu italianët. Kisha blerë një truall në Rruzhbull.
Prokurori: Kush është Agroni?
Qoli: Agron Qoli është çuni xhajës tim. Është djalë model, pas meje, por nuk e kam shok. Merret me ndërtimtari. Nuk kemi punuar bashkë.
Unë kam bërë 8-9 pallate. Edhe xhaminë në Rruzhbull. Me Festimin nuk kemi punuar, e kam vëlla, por është fatkeqësi për familjen tonë.
Prokurori: A kishte të ardhura Festimi?
Qoli: Unë nuk jam ekonomisti i Festimit, por kishte lokal dasmash, normale që kishte para.
Prokurori: Ke dalë jashtë shtetit?
Qoli: Po sigurisht, unë kisha anije. Unë di që Festimi ka një vajzë shumë të pasur bullgare. Di që ka edhe pasaportë angleze. Ajo është shumë e pasur, shet inerte ndërtimi. Nuk ishte e bukur… por.. nuk e di çfarë sheh Festimi tek ajo. Me Festimin shiheshim për iftare dhe për ditëlindje. Ka patur shoqëri me Laertin e Palma Novës. Sapo fillova unë duke ndenjur me të, u ftoh ai. Gjithmonë si Tomi me Jerry kemi shkuar.
Prokurori: Pretendime pronësie keni patur?
Qoli: Unë kam hipotekuar të gjitha apartamentet. Nuk hidhej beton pa qenë unë aty. Unë jam autodidakt.
