Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi sot Drejtoreshën e re të Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Blerina Gjylameti, në një takim me ekipin drejtues të institucionit.

Gjylameti u emërua ditën e djeshme në krye të AKU-së, ndërsa sot ish-deputetja e PS Gjylameti mori zyrtarisht detyrën.

Gjatë prezantimit, Ministri Salla vuri theksin te rëndësia e drejtimit dhe menaxhimit efikas të institucionit, si dhe te roli kyç i sigurisë ushqimore në procesin e integrimit europian. “Ndamë me ekipin drejtues rëndësinë e menaxhimit efikas të punës dhe vëmendjen e shtuar ndaj sigurisë ushqimore, e cila mbetet një prioritet kombëtar dhe një shtyllë thelbësore e procesit tonë të integrimit në Bashkimin Evropian,” u shpreh ministri.

Salla theksoi se AKU do të vijojë të forcojë rolin e tij institucional në funksion të qytetarëve dhe biznesit. “AKU do të vijojë të forcojë besimin e publikut dhe rolin e tij kyç në garantimin e ushqimit të sigurt dhe cilësor, përmes kontrolleve të bazuara në risk dhe rritjes së profesionalizmit të inspektimeve, në shërbim të konsumatorëve dhe biznesit,” theksoi Salla.

Në përfundim, Ministri Salla shprehu mirënjohjen për drejtuesin e deritanishëm të institucionit dhe e falënderoi për angazhimin dhe kontributin e dhënë, si dhe i uroi suksese në detyrën e re Drejtoreshës së Përgjithshme, Blerina Gjylameti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb