Gazetari Ermal Peçi ka bërë një analizë të zhvillimeve politike në vend, duke u ndalur tek skandalet e korrupsionit të qeverisë, skandali i zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe situatën në Partinë Demokratike.

Gjatë intervistës ai u shpreh se Rama po tenton që ta mbajë Belinda Ballukun “me thonj”. Gazetari Peçi nënvizoi se sa më shumë të tentoi kryeministri Rama ta mbrojë Ballukun aq më shumë presion do të ketë ndaj tij qoftë nga opinioni publik, por edhe nga ndërkombëtarët.

Gjithashtu ai shtoi se sipas tij SPAK është ‘armiku’ i kryeministrit pavarësisht se ky i fundit po përpiqet me të gjitha format për të mos lëshuar Ballukun.

“Sot Ramën mund të sulmosh për korrupsionin te AKSHI, për mënyrën se si po tenton të mbajë me thonj zonjë Ballukut, për të mos lënë SPAK të veprojë. Në gjithë këto vite kemi parë vetëm korrupsion dhe tenderimet janë thjesht një garë false, dhe këto janë disa pika ku mund të goditet zoti Rama”, tha ai, duke shtuar: “SPAK edhe kur i thotë se Balluku po intimidon dëshmitarët dhe prish provat, por Rama po e mban me thonj. Dhe kjo nuk qëndron. Pra vetë zonja Balluku firmos, nga fillimi janarit ku u shpërndanë diku te 80 mln euro. Pra kuptohet haptazi që Rama po i jep mbrojtje politike. SPAK kërkon të mblidhet Komisioni i Mandateve për të vepruar dhe nuk po ndodh, dhe mendoj se kjo do të prodhojë një përplasje mes institucione. Sa më shumë ta mbrojë Rama aq më shumë trysni do të ketë për Ramën, nga opinioni publik por edhe ndërkombëtarët”.

Gjithashtu ai shtoi se Partia Demokratike sot është në një ngërç dhe se ka rënë në kurthin e vet.

“Opozita është në grackë nga vet krijimtaria e saj. Opozita është e pafuqishme, por edhe nuk arrin dot që t’i ushtrojë trysni zotit Rama. Kjo qeveri është e korruptuar dhe ne këtë na e ka vërtetuar SPAK. Kur u rikthye Berisha tha se për 6 muaj do e mund Ramën, tha që do hiqet non grata dhe se PD do jetë e ardhmja e këtij vendit. Por deri tani PD është më e përçarë”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb