Dinamo do të përballet këtë javë në “Elbasan Arena” me vendësit e Elbasanit, aty ku do të synojnë që të marrin 3 pikë për të qëndruar mes më të mirave dhe njëkohësisht për të konfirmuar veten e tyre mes skuadrave të “Final 4”.

Në situatën e krijuar me 2 ndeshjet e fundit, sidomos pas humbjes me Vllazninë, te Dinamo duket se ka presion për rezultat duke qenë se këto janë ndeshje që vlejnë më shumë se vetëm 3 pikë, pasi janë rivalët direktë. Megjithëse “Elbasan Arena” është fusha e Elbasanit, në vitet e fundit ka qenë edhe “shtëpi” për Dinamon dhe kryeqytetasit kanë marrë rezultate historike duke e kthyer si në fortesë.

PËRBALLJET DIREKTE- Vetë Elbasani e ka pësuar thellë në shtëpinë e saj nga Dinamo, duke u mundur me rezultate të thella si 0-5 apo 3- 1. Elbasani ka arritur të marrë vetëm një fitore në shtëpinë e saj kundër Dinamos, me këta të fundit që kanë një ecuri pozitive ndaj verdhebluve, duke i mundur 3 herë, teksa 2 ndeshje të tjera janë mbyllur në barazim, mes të cilave vetëm njëra në “Air Albania”.

TROFEU- Ndërkohë, pas shumë vitesh Dinamo u rikthye të fitonte një trofe dhe diçka të tillë e bëri pikërisht në “Elbasan Arena”. Kryeqytetasit mundën me penallti Egnatian në finale, duke arkivuar trofeun e parë pas shumë vitesh mungesë dhe për t’i hapur rrugë sukseseve të tjera pasi vetëm 6 muaj më vonë, blutë fituan Superkupën e Shqipërisë, por këtë herë e bënë në Tiranë, në fushën e tyre. Të dielën, dy skuadrat do të synojnë që të marrin më të mirën jo vetëm për rezultatin, por edhe për të kthyer momentin në favorin e tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb