Kampionati i Kategorisë së Parë vijon të dhurojë emocione dhe rivalitet, teksa pas 18 javësh gara për dy vendet e para, që sigurojnë ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar, mbetet e hapur dhe mjaft konkurruese.

Skënderbeu kryeson renditjen me 41 pikë, i ndjekur nga Laçi me 36 pikë, ndërsa Pogradeci mban vendin e tretë me 33 pikë, duke konfirmuar një kampionat të luftuar dhe me interes në çdo javë.

Në këtë fazë të sezonit, vëmendje të veçantë marrin edhe statistikat individuale, të cilat nxjerrin në pah lojtarët me kontributin më të madh në skuadrat e tyre. Arlind Kurti është futbollisti më i përzgjedhur në formacionin e javës të Kategorisë së Parë nga trajnerët e ekipeve Kombëtare të moshave, duke u përfshirë 7 herë në 18 javët e para të kampionatit.

Mbrojtësi i Laçit ka qenë një nga pikat kyçe të skuadrës së tij, me paraqitje të qëndrueshme dhe ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatet pozitive, duke konfirmuar nivel të lartë performance gjatë sezonit.

Pas Kurtit, futbollistët e tjerë më të përzgjedhur në formacionin e javës janë Saleh Nassr i Skënderbeut dhe Olsi Myrta i Laçit, të dy nga 5 herë secili.

Ndërkohë, sa i përket trajnerit më të përzgjedhur të javës nga trajnerët e ekipeve Kombëtare, në krye qëndron Ernest Gjoka, i cili është vlerësuar 4 herë. Skënderbeu po zhvillon një sezon shumë pozitiv dhe kryeson kampionatin me meritë, ku një rol të rëndësishëm ka edhe drejtimi teknik i trajnerit Gjoka.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb