Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në një konferencë për media lidhur me seancën e zhvilluar një ditë më parë në Gjykatën Kushtetuese, ku u shqyrtua çështja e pezullimit nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku, e akuzuar nga SPAK.
Berisha hodhi akuza të forta ndaj Presidentit Bajram Begaj, Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke e cilësuar paraqitjen e tyre në Gjykatën Kushtetuese si një akt të paprecedentë në historinë e vendit.
“Sot është dita e gjykimit për këtë organizatë kriminale. Dita e djeshme do të regjistrohet në muret e kohës si një nga ditët më të zeza në historinë e ligjit, Kushtetutës dhe drejtësisë në këtë vend,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, tre drejtuesit më të lartë të shtetit u paraqitën para Gjykatës Kushtetuese në kundërshtim me vendimet e gjykatave dhe të Prokurorisë për pezullimin e zv/kryeministres, të cilën Berisha e akuzoi për përfshirje në afera korruptive dhe vjedhje të mëdha.
“Kurrë më parë në historinë e këtij vendi tre drejtuesit kryesorë nuk janë rreshtuar kundër ligjit dhe drejtësisë për të mbrojtur një zyrtare të kapur në flagrancë,” deklaroi ai, duke e cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të turpshëm dhe në kundërshtim me ligjin.
Berisha shtoi se, sipas ligjit, Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë të marrë vendime për masat e sigurisë pa u shprehur më parë Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, duke e konsideruar ndërhyrjen e saj si një tejkalim të hapur të kompetencave.
