Kryetarja e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, zhvilloi një takim me përfaqësuesin gjerman për çështjet europiane, Günther Krichbaum, gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Gjatë bisedës, Tabaku e njohu Krichbaum me zhvillimet më të fundit politike në vend, me fokus të veçantë procesin e integrimit europian dhe sfidat reale që po e pengojnë atë. Në qendër të diskutimit ishin çështjet që lidhen me sundimin e ligjit, funksionimin e drejtësisë dhe hetimet e SPAK, veçanërisht dosjet që prekin nivele të larta të qeverisjes dhe institucionet publike.
Deputetja e Partisë Demokratike theksoi presionin në rritje që qeveria po ushtron ndaj sistemit të drejtësisë, si dhe problematikat që lidhen me amendamentet e Kodit Penal të ri, aktualisht në shqyrtim në Kuvend. Tabaku nënvizoi nismën e saj për dekriminalizimin e shpifjes, në përputhje me rekomandimet e Progres-Raportit të Bashkimit Europian, si një hap i domosdoshëm për mbrojtjen e lirisë së medias dhe të fjalës.
Në takim u trajtua edhe situata e investimeve të huaja dhe mekanizmi i shqyrtimit të tyre. Sipas Tabakut, qeveria shqiptare nuk ka treguar vullnet politik për të zbatuar në mënyrë serioze rregulloren e BE-së për kontrollin e investimeve nga vende të treta jomiqësore, duke krijuar rreziqe për sigurinë, transparencën dhe konkurrencën e ndershme.
Një tjetër temë kyçe ishte procesi zgjedhor dhe mosplotësimi i kritereve themelore që lidhen me demokracinë dhe shtetin e së drejtës, pjesë e grup-kapitullit të parë të negociatave. Tabaku theksoi se, me këto ritme, qeveria shqiptare mbetet “vite dritë” larg integrimit real, ndërsa periudhat e ndërmjetme të kërkuara janë dëshmi se integrimi po përdoret më shumë si fasadë dhe retorikë politike sesa si proces reformash të thella.
Në përmbyllje, Tabaku siguroi se opozita dhe Partia Demokratike janë plotësisht të angazhuara në procesin e integrimit europian, duke e konsideruar atë jetik për të ardhmen e vendit dhe për ndërtimin e institucioneve funksionale, demokratike dhe të besueshme.
