Analisti Auron Dodi, në një lidhje me studion e News24, foli për qëndrimet amerikane dhe gjermane në Davos dhe jehona e tyre në Gjermani.
Dodi tha se qëndrimi i Presidentit Trump për çështjen e Groenlandës u prit mirë, veçanërisht deklarata për mospërdorimin e dhunës në Groenlandë dhe heqja dorë, të paktën për momentin, nga konflikti me tarifat doganore.
News24: Forumi i Davosit, fjalimet atje të Presidentit amerikan Trump dhe të kancelarit gjerman, Merz janë temë predominuese në Gjermani.
Për të mësuar më shumë, jam lidhur tani në Gjermani me Auron Dodin, në DW.
Auron, përshëndetje.
Si u prit në Gjermani qëndrimi i Presidentit Trump për çështjen e Groenlandës?
A.Dodi: U prit me njëfarë lehtësimi. Veçanërisht deklarata për mospërdorimin e dhunës në Groenlandë dhe heqja dorë, të paktën për momentin, nga konflikti me tarifat doganore.
Kancelari Friedrich Merz foli për “hapa në drejtimin e duhur”. Në fjalimin që mbajti në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Merz-i ritheksoi se siguria e NATO-s në veriun e largët është “interes i përbashkët transatlantik”. Njëkohësisht, kancelari gjerman paralajmëroi se “tarifa të reja doganore do të minonin themelin e marrëdhënieve transatlantike.”
Siç dihet Trumpi dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rutte, diskutuan në Davos mënyrat se si NATO-ja mund të mbrojë të gjithë Arktikun. Detajet e marrëveshjes ende duhet të përpunohen, por si orientim shërben me sa duket një marrëveshje e vitit 1951, e SHBA me Danimarkën. Sipas vëzhguesve, SHBA kërkojnë siguri që mund të veprojnë pa pengesa ligjore në vendet ku kanë trupa, pra edhe në Danimarkë.
News24: Si e sheh kancelari Merz situatën midis Evropës dhe SHBA?
A.Dodi: Kancelari Merz foli për një pikë kthese historike. Ai tha se “ne kemi kaluar pragun, në një botë të re, të fuqive të mëdha.” Megjithatë, Europa ende është në gjendje të veprojë, „ne mund ta formësojmë këtë botë“, siç u shpreh Merz.
Kancelari paralajmëroi të mos braktiset me ngut partneriteti transatlantik. Konkretisht Merz-i tha se “pavarësisht gjithë frustrimit dhe zemërimit, të mos e braktisim me nxitim partneritetin transatlantik”.
Merz shtoi se “ne evropianët, ne gjermanët, e dimë sa i vlefshëm është besimi, mbi të cilin bazohet NATO-ja.” Ai shprehu bindjen se edhe në epokën e sotme, Shtetet e Bashkuara do të kenë nevojë për një besim të tillë.
Kancelari Merz arriti kështu në Davos një akt balance: midis vizionit për të ardhmen e Evropës dhe nevojës për bashkëpunim.
News24: Po analistët në Gjermani, ku i shohin arsyet e ndryshimit të qëndrimit të Trump-it për çështjen e Groenlandës?
A.Dodi: Shihen disa arsye. Fillimisht, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kishte sinjalizuar një përgjigje “të guximshme“ nga BE. U përmend mundësia që BE të vendosë si kundërpërgjigje, tarifa masive deri në 93 miliardë euro ndaj mallrave amerikane.
Paralelisht, mendohet se edhe tregu i aksioneve ishte vendimtar. Të martën, para fjalimit të Trumpit në Davos, përballë frikës për konflikt ushtarak e ekonomik mes SHBA dhe Evropës, në SHBA pati një rënie prej 2% të tregut të aksioneve. Mjaft anëtarë të administratës amerikane janë të ndjeshëm për tregun e aksioneve, pasi vijnë nga bota e biznesit.
Nga ana tjetër, tërhoqi vëmendjen edhe një paralajmërim i tërthortë: një analist i lartë i Deutsche Bank paralajmëroi se, teorikisht, investorët evropianë mund të shisnin deri në 8 bilionë dollarë asete amerikane.
Ministri amerikan i Financave, Scott Bessent, e hodhi poshtë këtë analizë si të tepruar. Madje drejtori i Deutsche Bank u distancua nga analiza, me një telefonatë që i bëri Bessentit. Megjithatë, dy fonde daneze dhe një fond pensioni suedez e bënë realitet paralajmërimin për shitje.
Deutsche Bank, është bankë private në bursë, por ka shtrirje globale dhe ka ndikim. Ajo luan një rol të rëndësishëm në financimin e kompanive të orientuara drejt eksportit. Mediat shpesh i interpretojnë analizat e saj si “sinjal” nga Gjermania.
News24: Presidenti amerikan Trump u ndal në fjalimin në Davos në marrëdhëniet me Evropën. Përmbledhtazi, si e vlerëson ai Evropën dhe Gjermaninë?
A.Dodi: Në vazhdim në fjalim, presidenti amerikan kritikoi kthesën ekologjike në Evropë. Për Gjermaninë ai tha se Gjermania prodhon tani “22% më pak energji elektrike se në vitin 2017”. Megjithatë, shtoi Trump-i, “nuk është faji i kancelarit aktual”. “Ai po e zgjidh problemin. Ai do të bëjë punë të shkëlqyer”. Vëzhgues gjermanë besojnë se Trumpi ka respekt për Merz-in, siç duket në këto komente dhe në faktin që ekziston një komunikim telefonik.
News24: Në fjalimin në Davos Presidenti Trump tha edhe se : “në Luftën e Dytë Botërore, kur Danimarka u mund nga Gjermania pas vetëm gjashtë orësh luftime, pa ne, të gjithë do të flisnin gjermanisht tani.”
A ekziston një qëndrim gjerman për këtë?
A.Dodi: Nuk ekziston një qëndrim zyrtar gjerman për këtë aspekt. Megjithatë, historia është shpesh me interes. Televizioni publik gjerman ARD dhe DW bënë kërkime për këtë temë dhe konstatuan se Danimarka u pushtua nga Gjermania naziste në prill 1940. Me kërkesë të ambasadorit danez në Uashington, SHBA ndërhynë atëherë ushtarakisht, për të parandaluar që Gjermania të përfitonte nga pozicioni strategjik i Groenlandës dhe nga minierat e vlefshme të kriolitit, të cilat i duheshin Gjermanisë për aluminin e avionëve.
Forcat e armatosura të SHBA ngritën në atë kohë në Groenlandë baza ushtarake, stacione meteorologjike dhe aerodrome, duke e mbrojtur në mënyrë efektive ishullin nga kontrolli gjerman.
Por megjithëse Wehrmacht-i hitlerian kishte në Groenlandë një stacion meteorologjik, pati edhe përplasje të izoluara me patrullat daneze, Groenlandën Gjermania nuk e pushtoi asnjëherë plotësisht.
Pas Luftës së Dytë Botërore, prania ushtarake amerikane vazhdoi me Groenlandën si pjesë të Mbretërisë së Danimarkës.
