Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, do të udhëtojë në Armeni dhe Azerbajxhan gjatë muajit shkurt, njoftoi dje presidenti amerikan Donald Trump përmes platformës së tij, Truth Social.

Në postimin e tij, Trump falënderoi presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, për respektimin e marrëveshjes së paqes të nënshkruar në gusht të vitit të kaluar në Uashington, nën kujdesin e administratës amerikane.

“Dua të falënderoj Presidentin Aliyev dhe Kryeministrin Pashinyan për respektimin e marrëveshjes së paqes që nënshkruam gushtin e kaluar. Në shkurt, Zëvendëspresidenti Vance do të udhëtojë për në këto dy vende për të vazhduar përpjekjet tona për paqe,” shkroi Trump.

Marrëveshja e arritur në Uashington synon t’i japë fund mosmarrëveshjes territoriale disa dekadëshe mes Armenisë dhe Azerbajxhanit. Ajo parashikon krijimin e një zone tranziti që do të kalojë përmes territorit armen dhe do të lidhë Azerbajxhanin me enklavën e tij, Nakhichevan.

Kjo zonë tranziti, një kërkesë e hershme e Bakusë, do të quhet “Rruga e Trumpit drejt Paqes dhe Prosperitetit Ndërkombëtar” (TRIPP). Sipas marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara do të kenë të drejta zhvillimi në këtë korridor, duke i mundësuar Uashingtonit të avancojë interesat e tij strategjike në një rajon kyç, të pasur me burime hidrokarburesh. Vizita e Zëvendëspresidentit Vance pritet të fokusohet në zbatimin e marrëveshjes dhe forcimin e stabilitetit rajonal.

  • foto galeri

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: