Skena paniku u regjistruan të premten në mbrëmje në Aeroportin Metropolitan të Detroitit, pasi një burrë përplasi automjetin e tij në zonën e regjistrimit të pasagjerëve, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe shqetësime mes udhëtarëve dhe stafit. Sipas autoriteteve të aeroportit, incidenti ndodhi rreth orës 7:30 sipas kohës lokale. Pamjet video nga vendngjarja tregojnë automjetin që ndalet brenda Terminalit McNamara, më i madhi në aeroport, pasi theu hyrjen kryesore dhe përfundoi në sportelet e check-in të kompanisë Delta Air Lines.

Dëshmitarë okularë raportuan për një zhurmë të fortë në momentin e përplasjes, ndërsa automjeti goditi një nga sportelet e biletave. Sipas tyre, shoferi doli më pas nga makina dhe filloi të bërtiste, pa qenë e qartë se çfarë po thoshte apo cilat ishin motivet e tij. Në vendngjarje mbërritën menjëherë forca të policisë dhe agjentë të Administratës së Sigurisë së Transportit (TSA). Burri, i cili ishte i veshur me një fanellë të zezë të ekipit Detroit Lions, u arrestua dhe u largua nga terminali nën masa të forta sigurie, ndërsa vazhdonte të bërtiste.

“Për fat të mirë, reagimi ishte i menjëhershëm. Policia, TSA, të gjithë ishin aty brenda sekondave,” deklaroi një pasagjer që ndodhej në aeroport në momentin e incidentit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Departamenti i Zjarrfikësve i Autoritetit të Aeroportit të Qarkut Wayne bëri të ditur se gjashtë persona u trajtuan në vendngjarje. Delta Air Lines konfirmoi se nuk pati të lënduar rëndë, megjithatë tre punonjës të saj morën ndihmë mjekësore pasi ranë në kontakt me mbeturinat. Shkaku i përplasjes mbetet i paqartë dhe autoritetet nuk kanë bërë publik identitetin e shoferit. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë dëme të mëdha në hyrjen e terminalit, me xhama të thyer dhe struktura metalike të shpërndara në dysheme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb