Goditet një rast i lojërave të paligjshme të fatit në Korçë. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi A. R., 57 vjeç, banues në Korçë, pronar i një lokali në fshatin Bulgarec, i cili organizonte lojëra fati dhe shpërndante lëndë narkotike të llojit kokainë. Në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan 14 doza me lëndë të dyshuar kokainë, një automjet, 8 celularë, letra bixhozi dhe çipsa që përdorej për lojëra fati. Gjithashtu, gjatë kontrollit u zbuluan faqe aktive për baste sportive.
Gjithsej 14 shtetas procedohen për “moskallëzim krimi”, ndërsa 3 të tjerë për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ndërkohë, një punonjës policie u procedua për “shpërdorim detyre”, ndërsa ndaj tij është nisur edhe hetimi disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit.
Operacioni u realizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, me mbështetjen e Forcave Operacionale “Shqiponjat”, Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë DVP Korçë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në kuadër të planit “Për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e organizimit të lotarive sportive online”.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Korçës për veprime të mëtejshme ligjore.
