Një nga stuhitë dimërore më të gjera dhe më të ashpra në historinë e fundit të Shteteve të Bashkuara ka arritur kulmin e saj, duke prekur të paktën 40 shtete dhe mbi 235 milionë njerëz. Reshjet e dendura të dëborës, akulli dhe temperaturat ekstreme kanë paralizuar zona të mëdha të vendit.
Në rrjetet sociale janë shpërndarë pamje të pazakonta nga Minesota, ku shihen edhe spageti që ngrijnë në ajër, ndërsa temperaturat në Minneapolis ranë në nivele ekstreme, ku termometri zbriti deri në -29°C.
Vala e fuqishme e të ftohtit ka sjellë jo vetëm temperatura polare, por edhe reshje të dendura dëbore dhe akull në një pjesë të madhe të SHBA-së, nga Teksasi dhe shtetet veriperëndimore, deri në bregun lindor.
Autoritetet amerikane paralajmërojnë se vendi po përgatitet për “10 ditët më të këqija në 40 vitet e fundit”. Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) njoftoi në buletinin e tij të fundit se stuhia do të jetë e e gjatë, duke përfshirë reshje intensive dëbore, akumulim katastrofik akulli dhe erëra jashtëzakonisht të ftohta.
Meteorologu Ryan Moy deklaroi se 10 ditët e ardhshme do të jenë më të vështirat që SHBA ka përjetuar në katër dekadat e fundit”.
Sipas tij, qytetarët duhet të përgatiten për ndërprerje të gjera të energjisë elektrike, veçanërisht në zonat ku temperaturat pritet të bien nën -18°C.
