Është dhënë dënimi i parë me burg në lidhje me skandalin e madh të basteve ilegale në NBA, i cili tronditi botën e basketbollit vjeshtën e kaluar. Timothy McCormack u dënua të mërkurën me dy vite burg nga një gjykatës federal në Nju Jork.
Gjatë seancës së dënimit, McCormack pranoi publikisht problemet e tij me bixhozin: “Kam luftuar me varësinë nga bixhozi për më shumë se gjysmën e jetës sime”, deklaroi ai. McCormack u akuzua për mashtrim të platformave të basteve sportive, duke përdorur informacione jopublike për të vendosur baste shumë fitimprurëse, të lidhura me performancën e lojtarëve të NBA-së, të cilët dyshohet se ishin pjesë e skemës.
“Ai ka një varësi. Nuk besoj se veprimet e zotit Mc Cormack e përkufizojnë atë si person”, tha gjykatësja federale LaShann DeArcy Hall. McCormack ishte pjesë e një skeme që dyshohet se përfshinte ishlojtarë të NBA-së si Terry Rozier, Chauncey Billups dhe Damon Jones. Sipas dokumenteve të publikuara nga FBI, rrjeti përdorte një makinë për përzierjen e letrave, e cila ishte modifikuar fshehurazi me teknologji që lexonte letrat dhe parashikonte se cili lojtar kishte dorën më të fortë në tavolinë.
Ky informacion transmetohej përmes komunikimeve ndër-shtetërore te një operator jashtë kazinosë. Operatori më pas ia kthente informacionin organizatorit kryesor në tavolinën e pokerit, i cili përdorte sinjale për t’ua komunikuar bashkëpunëtorëve të tjerë. Dokumentet e FBI-së zbulojnë gjithashtu se lojtarët mashtrues përdornin teknologji të tjera të avancuara, përfshirë mbajtëse elektronike për çipat e pokerit që lexonin letrat me kamera të fshehta, analizues kartash dhe shenja të padukshme mbi letra, të cilat mund të shiheshin vetëm përmes lenteve të posaçme ose syzeve speciale.
Prokurori i SHBA-së për Distriktin Lindor të Nju Jorkut, Joseph Nocella Jr., e quajti këtë rast “një nga skemat më të guximshme të korrupsionit sportiv që nga legalizimi i gjerë i basteve ‘online’ në SHBA”. “Ata përdorën makina përzierjeje që ishin ndryshuar fshehurazi për të lexuar letrat, për të parashikuar dorën më të mirë në poker dhe për të transmetuar informacionin te një operator jashtë vendngjarjes”, deklaroi Nocella në një konferencë për shtyp në tetor.
Sipas Departamentit të Drejtësisë, Billups dhe Jones dyshohet se u përdorën si figura të njohura publike për të tërhequr lojtarë të tjerë në ndeshjet e manipuluara të pokerit. Në prill të vitit 2019, Billups ishte një nga pesë të pandehurit që organizuan dhe morën pjesë në lojëra pokeri të manipuluara në Las Vegas, duke përdorur makina të modifikuara për përzierjen e letrave, ku viktimat humbën të paktën 50 mijë dollarë. Në një mesazh, njëri nga të pandehurit sugjeronte që Billups të humbiste qëllimisht një dorë për të shmangu dyshimet për mashtrim.
