LIVE -VIDEO | Berisha mbyll fjalimin, protestuesit hedhin bomba molotov dhe “breshëri” fishekzjarresh drejt Kryeministrisë. Godina qeveritare në flakë!
24 Janar, 2026 18:51
Madhësia e tekstit:
Kryetari i PD, Sali Berisha mbylli fjalimin para Kryeministrë, ndërsa protestuesit hodhën bomba molotov drejt godinës qeveritare.
Gjithashtu, disa protestues lëshuan edhe fishekzjarre drejt selisë së qeverisë.
Policia reagoi duke hedhur gaz lotsjellës, ndërsa nuk mungoi as makina e ujit e cila hodhi ujë me presion drejt protestuesve.
Protesta
Partia Demokratike zhvilloi këtë të shtunë një protestë kombëtare para Kryeministrisë, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Kjo e fundit u pezullua nga ushtrimi i funksioneve me vendim të GJKKO, por Gjykata Kushtetuese e riktheu përkohësisht në detyrë, deri në gjykimin në themel të ankimit të bërë nga kryeministri Edi Rama.
Protesta u thirr nga opozita si reagim ndaj skandaleve të Ballukut, pasi u mor e pandehur nga SPAK për korrupsion dhe abuzim me tenderat. Gjithashtu, SPAK kërkoi heqjen e imunitetit me qëllim arrestimin e Ballukut, por socialistët e shtyn vendimmarrjen e Këshillit të Mandateve për në datën 28 Janar.
Opozita ka paralajmëruar se protestat para Kryeministrisë do të jenë të qëndrueshme dhe vazhdim i një serie aksionesh politike, deri në largimin e Qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama.
Më parë në një postim në rrjetet sociale, Berisha iu drejtua me një mesazh qytetarëve ku e quajti ditën e sotme, si ditën kur populli opozitar i bën gjyqin kreut të qeverisë.
“Sot është dita e guximit qytetar. Dita kur populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit, kryeministrit të lidhur me banditë, trafikantë dhe vrasës. Është dita e ngadhënjimit mbi të keqen që ka mbërthyer Shqipërinë”, shkruan ai.
Nga ana tjetër, policia ka marrë masa të rrepta duke zbritur në terren 1350 efektivë për mbarëvajtjen e tubimit.
Është vendosur kordoni policor para godinës së Kryeministrisë, ndërsa me skafandër dhe maska kundragaz, forca të shumtë policie janë rreshtuar në zonë.