Kreu i PD, Sali Berisha ka njoftuar mbylljen e protestës kombëtare e cila ka zgjatur për tre orë.

Gjatë deklaratës për mediat nga shkallët e selisë së PD, Berisha tha se protesta e sotme i arriti qëllimet e saj.

“Protesta e radhës do të njoftohet dhe variantet e saj. Tani jemi në fushëbetejë dhe nuk ndalemi deri në rrëzimin e tij. Bravo! Po bëni historinë, ky është popull vigan!”, u shpreh Berisha.

Kryedemokrati tha se qytetarët, sipas tij, ishin të gatshëm t’i jepnin kryeministrit Edi Rama atë që meritonte, ndërsa paralajmëroi se rezistenca në sheshe do të vijojë.

“Absolutisht kjo gatishmëri do vazhdojë. Ne këtë betejë do e vazhdojmë. Ne kemi një mision dhe vetëm një mision, përmbysjen e këtij regjimi kriminal, e këtij narkoregjimi, e këtij armiku të shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Asgjë nuk e shpëton më këtë. Asgjë nuk e shpëton. Fatin e Enver Hoxhës do ketë.

Beteja me diktaturën nuk është një ndeshje futbolli, jo. Mos e merrni kështu. Beteja me diktaturën është një qëndresë e vazhdueshme. Është një betejë e pandërprerë. Është një betejë, të cilën të pamposhturit opozitarë, ata që bëjnë të pamundurat, të mundshme, do ta fitojnë”, u shpreh Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb