Të paktën 11 persona humbën jetën dhe 12 të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi të armatosur të ndodhur në një fushë futbolli në komunitetin Loma de Flores, në komunën e Salamanca-s, në Meksikë.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 17:20 të pasdites së së dielës, ndërsa në stadiumin Campos de las Cabañas po zhvillohej një ndeshje amatore futbolli. Sipas raportimeve paraprake, dy automjete mbërritën në vendngjarje, nga të cilat zbritën katër persona të armatosur që hapën zjarr ndaj të pranishmëve.

Të shtënat u dëgjuan edhe në komunën e afërt të Irapuato-s, rreth 15 kilometra larg, ndërsa në vendngjarje u gjetën të paktën 100 gëzhoja.

Pesë ambulanca u dërguan menjëherë në zonë. Ekipet e emergjencës konfirmuan se dhjetë persona u gjetën të pajetë në vend, ndërsa pesë të plagosur në gjendje kritike u transportuan drejt spitaleve në Irapuato, ku një prej tyre ndërroi jetë më vonë. Shtatë persona të tjerë pësuan lëndime të lehta dhe nuk kishin nevojë për shtrim në spital.

Autoritetet lokale kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb