Të paktën 80 të burgosur politikë u liruan të dielën në Venezuelë, ku procesi i lirimit të tyre është duke u zhvilluar, nën presionin e Uashingtonit, njoftoi organizata joqeveritare Foro Penal.
Drejtori i organizatës, Alfredo Romero, shkroi në një postim në platformën X se 80 të burgosur janë liruar nga burgjet në të gjithë vendin dhe të tjerë mund të lirohen brenda ditëve.
Presidentja e përkohshme e Venezuelës , Delcy Rodriguez, tha të premten se 626 të burgosur janë liruar deri më tani, por nuk dha një afat kohor për lirimin e pjesës tjetër.
Megjithatë, nga 8 janari deri më sot, Foro Penal kishte konfirmuar vetëm lirimin e 156 të burgosurve politikë.
Rodriguez tha se të hënën do të kontaktojë Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, për t’i kërkuar OKB-së të verifikojë listat e emrave të atyre që janë liruar nga burgu deri më tani në vendin e saj.
