Një ngjarje tragjike u regjistrua herët në qytetin e Trikalas në Greqi, ku tre gra humbën jetën pas një zjarri të madh dhe një shpërthimi të fuqishëm në fabrikën e njohur të biskotave VIOLANTA.
Zjarri shpërtheu pak para orës 04:00 të mëngjesit, duke përfshirë një krah të fabrikës, ndërsa pak më vonë u regjistrua edhe një shpërthim i fortë. Sipas informacioneve paraprake, pesë punëtore ndodheshin në zonën ku ndodhi shpërthimi. Tre prej tyre u gjetën pa shenja jete, ndërsa dy të tjera rezultojnë ende të zhdukura.
Si pasojë e ngjarjes, pesë punëtorë të tjerë dhe një zjarrfikës u transportuan në spital. Burime zyrtare bëjnë me dije se të gjithë të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën. Një pjesë e objektit industrial është shembur për shkak të shpërthimit dhe flakëve.
Pak para konfirmimit të viktimave, kompania VIOLANTA reagoi me një deklaratë zyrtare, ku theksoi se incidenti ndodhi gjatë turnit të natës për arsye ende të panjohura. Në deklaratë theksohet se autoritetet kompetente ndodhen në vendngjarje dhe po bëjnë çdo përpjekje për gjetjen e punonjësve të zhdukur.
“E vetmja gjë që na shqetëson në këtë moment janë njerëzit tanë. Qëndrojmë pranë tyre dhe familjeve të tyre dhe po bëjmë gjithçka që është e mundur për t’i mbështetur,” thuhet në deklaratën e kompanisë, e cila shton se po bashkëpunon plotësisht me autoritetet.
