Të paktën 15 persona kanë humbur jetën pasi një traget me më shumë se 350 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi u fundos herët të hënën pranë një ishulli në jug të Filipineve. Sipas autoriteteve lokale, 28 persona rezultojnë ende të zhdukur.

Trageti M/V Trisha Kerstin 3, i cili transportonte mallra dhe pasagjerë , ishte nisur nga qyteti port i Zamboangës drejt ishullit Jolo, në provincën Sulu, me 332 pasagjerë dhe 27 anëtarë ekuipazhi. Sipas rojes bregdetare, anija hasi probleme teknike dhe u mbyt pak pas mesnatës.

Ngjarja ndodhi në kushte moti të mirë, rreth një milje detare (1.8 kilometra) nga fshati ishullor Baluk-Baluk, në provincën Basilan, ku fillimisht u dërguan shumë prej të mbijetuarve. Komandanti i rojes bregdetare, Romel Dua, deklaroi se në bord ndodhej edhe një oficer sigurie i rojes bregdetare, i cili ishte i pari që njoftoi autoritetet për incidentin dhe kërkoi ndihmë. Oficeri i sigurisë mbijetoi.

Operacionet e kërkim-shpëtimit po zhvillohen nga roja bregdetare dhe marina filipinase, të mbështetura nga një aeroplan mbikëqyrjeje, një helikopter Black Hawk i forcave ajrore dhe një flotë anijesh peshkimi që po patrullojnë zonën pranë Basilanit.

Sipas rojes bregdetare, deri tani janë shpëtuar 316 pasagjerë, ndërsa të paktën 15 trupa janë gjetur. Shkaku i saktë i fundosjes së tragetit mbetet ende i paqartë dhe autoritetet kanë nisur hetimet. Dua theksoi se trageti ishte kontrolluar dhe autorizuar për lundrim përpara nisjes nga porti i Zamboangës dhe nuk kishte shenja mbingarkese.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb