Vazhdon marshimi dominues i Jannik Sinner në Australian Open. Dy herë kampioni në fuqi konfirmon formën e jashtëzakonshme dhe siguron çerekfinalet, duke fituar derbin italian ndaj Luciano Darderit në tre sete: 6-1, 6-3, 7-6 pas 2 orësh e 9 minutash lojë.

Ndeshja nis pa histori. Sinner imponon menjëherë ritmin, realizon dy break në setin e parë dhe e mbyll shpejt 6-1. Edhe seti i dytë është nën kontrollin e tij: shërbim i fuqishëm, shumë ace dhe një tjetër 6-3 që i jep avantazh të qartë. Vetëm në setin e tretë Darderi reagon, përfiton nga një rënie e lehtë fizike e Sinnerit dhe e çon setin në tie-break, por aty numri dy i botës dominon sërish dhe mbyll gjithçka me autoritet.

Me këtë fitore, për herë të pestë radhazi në një turne Grand Slam, dy tenistë italianë arrijnë çerekfinalet. Përkrah Sinnerit është edhe Lorenzo Musetti, i cili vazhdon surprizën e madhe në Melbourne.

Musetti siguron çerekfinalet me një paraqitje shumë bindëse ndaj Taylor Fritz, të cilin e mposht 6-2, 7-5, 6-4 në 2 orë e 3 minuta. Toscani përfiton nga vështirësitë fizike të amerikanit dhe kontrollon ndeshjen nga fillimi në fund.

Në çerekfinale, Musetti do të përballet me Novak Djokovic, ndërsa Sinner vazhdon rrugëtimin drejt një titulli të tretë radhazi në Australian Open.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb