Mbledhja e Gjyqtarëve do të shqyrtojë kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj lidhur me vendimin nëse çështja e tij do të kalojë ose jo për shqyrtim në seancë gjyqësore.
Erion Veliaj ka paraqitur kërkesë për shfuqizimin e vendimit që ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në paraburgimim që prej muajit shkurt të vitit të kaluar dhe akuzohet për një sërë veprash penale si pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave si dhe pastrim parash. E përshirë në këtë dosje është edhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka, e cila akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Më datë 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Erion Veliajt duke e lënë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës. Kushtetuesja rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin dhe shfuqizoi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë.
Më 27 nëntor, ai iu drejtua sërish Kushtetueses duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve të GJKKO, Apelit të Posaçëm si edhe Gjykatës së Lartë për masën ‘arrest me burg’.
