Jep dorëheqjen nga detyra e kryeinspektores së IKMT-së, Dallëndyshe Bici. Lajmi konfirmohet nga burime për BalkanWeb.

Bici mbante këtë post që prej muajit korrik të 2024 kur u emërua.

Sakaq, burimet thonë se në vend të saj është emëruar Adriatik Kupi, që ka mbajtur disa poste. Ai ka qenë administrator i Njësisë Administrative Petrelë në Tiranë dhe më vonë drejtor i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.

Dallëndyshe Bici është denoncuar më parë nga kreu i PD-së, Sali Berisha për lidhjet e saj me trafikantë narkotikësh. Po ashtu Bici urdhëroi shembjen paligjshmërisht të ‘Prestige Resort’. Sipas denoncimit të Berishës disa vite më parë, drejtoresha e IKMT-së ka pasion trafikantët duke i bërë pjesë të administratës.

“Bici e partisë ka pasion për trafikantët. Ajo i punëson ata me zell të madh! Lexoni denoncimin dhe shikoni foton e qytetarit dixhital. ‘Përshëndetje Doktor. Po ju përcjell një informacion. Personi që po ju çoj në foto dhe që është realisht nr.2, njeriu më i afërt dhe i besuar i D.Bicit të IKMT quhet Vilson Lalaj dhe është nga Kuçi i Vlorës. Ky shtetas gjatë kohës që ka qenë i punësuar në Komunën Hor Vranisht është arrestuar nga Prokuroria e Vlorës dhe konkretisht nga prokurori Dorian Tafili për trafikim narkotikësh. Ka bërë disa vite burg rreth viteve 2005 ose ndoshta pak më mbrapa. Është informacion 100% i saktë’”, thuhet në mesazhin e publikuar nga z. Berisha. Edhe më herët, kreu demokrat ka dënuar ashpër shembjet antiligjore te IKMT në ambientet e “Prestige Resort”. Ai akuzoi Kryeministrin Edi Rama se mban përgjegjësi penale “për shkatërrimin antiligjor të pronës së tjetrit”, pasi Rama e ka firmosur vetë lejen për ndërtimin e resortit si kryetari i KKT.

“Edi Rama ka urdhëruar shkatërrimin e pjesës së resortit në kundërshtim flagrant me ligjin. Sipas zëvendëses së kësaj kompanie, gjithçka është ndërtuar mbi bazën e lejeve të firmosura nga vetë Rama, çka e bën përgjegjës penalisht atë për shkatërrimin antiligjor të pronës së tjetrit. Ndërmarrja, qoftë dhe në zbatim të ligjit të një akti të tillë kur resorti është plot me turistë, është akt i mirëfilltë banditeskt. Goditje që i jepet këtij sektori, shembulli më i keq dhe diskreditues për Shqipërinë. Ajo që unë dënoj me forcën më të madhe e nuk mund të pajtohem, sfondi politik i këtyre veprimeve. Janë të dënueshme, antikushtetuese përpjekjet për të shkatërruar një grup mediatik në kundërshtim me ligjet e vendit”, denonconte Sali Berisha në 2022.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: