Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka akuzuar qeverinë Rama për korrupsion e lidhje me krimin.
Gjatë fjalë së tij Blushi ka risjellë në vëmendjen arrestimin e ish-Presidentit Ilir Meta duke e cilësuar një rrëmbim.
Ai tha se vendimi i gjykatës fakton se për dy orë të plotë “presidenti i Partisë së Lirisë ishte i rrëmbyer pa asnjë bazë ligjore”.
Fjala e plotë:
Kanë kaluar 15 muaj nga krimi shumë i rëndë shtetëror i rrëmbimit terrorist të Presidentit të Partisë së Lirisë dhe drejtësia vijon të heshtë me vetëdije.
Asnjë hetim administrativ. Asnjë hetim gjyqësor. Asnjë përgjegjës për këtë akt shumë të rëndë kriminal, të paprecedentë në historinë e një shteti të së drejtës, por krejt “normal” në narko-shtetin mafioz të Edi Ramës ku rrëmbimet jo vetëm të liderëve të opozitës dhe kundërshtarëve të regjimit, por edhe të qytetarëve, të biznesmenëve e së fundmi të të miturve janë kthyer në manual pune për Organizatën Kriminale që ka marrë peng shtetin.
Krimi shtetëror i rrëmbimit të ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta edhe pas 15 muajsh vazhdon të mbetet qëllimisht i pazbardhur, sepse zbardhja e tij do të konfirmonte dhe ekspozonte të vërtetën e tmerrshme se institucionet e ngarkuara me zbatimin e ligjit, në diktatin e krimit dhe karteleve të drogës, janë shndërruar në një bandë mafioze, që ka kriminalizuar të gjithë shtetin, që vepron për llogari të Kreut të Organizatës dhe interesave të tij mafioze.
Krimi shtetëror i rrëmbimit mafioz të Z. Meta është konfirmuar edhe nga vetë gjykata e posaçme, që ka pranuar zyrtarisht se ajo çfarë ndodhi mesditën e 21 tetorit 2024, në kryqëzimin pranë “Casa Italia” në Tiranë, në orën 12:18, ishte një rrëmbim.
Vendimi i gjykatës fakton qartë se Z. Meta u njoh me ekzekutimin e masën “arrest në burg” nga oficerët e policisë gjyqësore, vetëm në ora 14:16, rreth dy orë pasi ishte rrëmbyer me dhunë në mes të rrugës.
Pra, për dy orë të plota, Presidenti i Partisë së Lirisë, thotë gjykata, ishte i rrëmbyer, i marr peng nga banditë të armatosur e të maskuar, pa asnjë bazë ligjore, pa vendim gjykate, pa u njohur vetëm me të drejtat, që i takonin sipas Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe as me bazën ligjore të ndalimit, por edhe pa avokat.
Banditë me maska. Të armatosur rëndë. Pa dokumente identifikimi. Pa uniformë policie. Pa mjet policie.
Një rrëmbim i pastër mafioz, i kryer në mes të ditës, në sy të dhjetëra qytetarëve dhe kalimtarëve të rastit.
Banditët me maska, siç është e njohur botërisht, e tërhoqën zvarrë me dhunë Z. Meta dhe e futën në një automjet privat, që gjithashtu nuk kishte asnjë shenjë dalluese se i përkiste Policisë së Shtetit.
Krejt ndryshe edhe nga e njëjta bandë mafioze që rrëmbeu Gerond Meçen dhe Daniel Shimën, ku siç është faktuar kriminelët e Edi Ramës ishin kujdesur të maskoheshin me uniforma që mbanin logon Policia apo Byroja Kombëtare e Hetimit.
Shumë i rëndë dhe nuk duhet neglizhuar kurrsesi është konstatimi zyrtar i Avokatit të Popullit, që gjatë hetimit të kryer lidhur me mënyrën e ndalimit të Z. Meta zbuloi të vërtetën tronditëse të zhdukjes së provave.
Nuk ka asnjë dokument procedural, nuk ka asnjë provë institucionale për atë që ndodhi në 21 tetor 2024, sepse qartësisht, në ora 12:18, siç faktoi edhe vendimi i gjykatës, Ilir Meta u rrëmbye nga banditët e Edi Ramës.
Në të kundërt do të ekzistonte qoftë edhe një dokument shtetëror apo procesverbal zyrtar për ndalimin dhe shoqërimin në ambientet e Komisariatit.
Por prova nuk ka sepse nëse do të kishte ato do të faktonin zyrtarisht krimin e rëndë shtetëror që u krye me porosi dhe për llogari të Kreut të Organizatës.
Si të mos mjaftonte kjo, bashkë me Ilir Metën u rrëmbye dhe u mbajt peng dhe iu privua liria për më shumë se tre orë edhe drejtuesi i automjetit, Artemis Peca, ndaj të cilit nuk ekzistonte asnjë urdhër ndalimi. Një tjetër krim i rëndë shtetëror, i cili nuk është hetuar kurrë.
Fakti që SPAK-u nuk e hetoi kurrë kallëzimin e bërë në datën 6 dhjetor 2024 nga Partia e Lirisë ndaj banditëve që kryen rrëmbimin e Z. Meta; fakti që prokurori Arben Kraja e cilësoi si të rregullt dhe të ligjshëm këtë akt kriminal para gjykatës në seancën për masën e sigurisë të datës 23 tetor 2024; fakti që SPAK qëllimisht, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës e shmangu veten, pra BKH nga operacioni për ndalimin e z. Meta, konfirmon bashkëfajësimin, gjithashtu dhe ndikimin politik nën urdhrat e Edi Ramës.
Është e qartë si drita e diellit, që ky rrëmbim i mirëplanifikuar prej kohësh nga organizata kriminale vendas dhe mafia ndërkombëtare e George Sorosit, u krye me me urdhër të Edi Ramës dhe u ekzekutua nga “grupi i gatshëm” i banditëve të Organizatës, të specializuar për të tilla aksione të paligjshme rrëmbimi personi, që ishin gati edhe për një skenar të mundshëm gjakderdhje.
Më 21 tetor 2024, në ora 12:16, nuk ka ndodhur një arrestim, por një krim, një akt i pastër terrori shtetëror.
Në Shqipëri, Presidenti i Partisë së Lirisë u rrëmbye si në filmat e mafies.
Edhe pse këto prova i ka gjykata, SPAK dhe policia gjyqësore tregojnë qartë që për 2 orë ish-Presidenti i Republikës është rrëmbyer dhe ndërkohë Narkodrejtori i policies, Ilir Proda vazhdon të mashtrojë publikisht institucionet me pretendimin kriminal se operacioni u zhvillua në rregull.
Mjafton vetëm ky mashtrim, që ky Narkodrejtor vagabond, të arrestohej në flagrancë, pa harruar gjithë zullumet që mban mbi supe për të cilat kurrë nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit të ashpër ligjor.
Përse duhet të rrëmbehej në mes të autostradës, përmes një inskenimi që zgjati minuta të tëra, Presidenti i Partisë së Lirisë, partia e tretë parlamentare në vend prej 20 vjetësh dhe ish-Presidenti i Republikës, i cili gëzonte mbrojtje të veçantë nga Garda e Republikës?
Është e qartë që ai u rrëmbye për të rrëmbyer zgjedhjet e 11 Majit, për të terrorizuar Partinë e Lirisë, opozitën dhe gjithë kundërshtarët e regjimit.
U rrëmbye nga tmerri që Edi Rama ka nga personaliteti i Z.Meta, nga fuqia e tij elektorale, nga të vërtetat që ai thotë, nga delegjitimi që ai i ka bërë gjithë mekanizmit të kapjes së “Drejtësisë së Re”, që e kthyer në Ramaformë shërben sot jo vetëm si patericë e Narkoregjimit por edhe si armë për të vrarë pluralizmin politik.
Standardet e rrëmbimit janë të njëjta edhe me standardet me hetimit e sidomos të paraburgimit, ku Z. Meta ndodhet në kushtet e një izolimi ekstrem, nën masa të kundraligjshme, në shkelje të Kushtetutës dhe KEDNJ, duke iu pamundësuar e drejta të takohet me drejtuesit e partisë, të komunikojë me mediat, madje edhe duke iu kufizuar ajrimi në vetëm 1 herë në ditë, kur ndërkohë gjithë të paraburgosurit dalin 2 herë në ditë në ajrim, e kjo vetëm për për gjoja “fajin” pse iu përgjigj nëpërmjet telefonit tim, pak pyetjeve të një gazetareje.
Përse u krye ky rrembim, i cili objektivisht kishte zero shkaqe sepse Z.Meta nuk po dilte nga Shqipëria, por po kthehej nga Kosova dhe po hynte në Tiranë, ku kishte njoftuar një konferencë shtypi nga selia e Partisë së Lirisë?
Kjo vërteton edhe njëherë se jemi përpara një situate krejt të paprecedent dhe shumë të rrezikshme për një shtet të së drejtës, e pakrahasueshme edhe me atë që ndodh në vende diktatoriale apo regjime autokratike.
As regjimet më autoritare nuk i kanë lejuar vetes akte të tilla kriminale. As regjimi i Vladimir Putinit nuk e ka arrestuar Aleksei Navalnyn në këtë mënyrë, në mënyrë kaq brutale, barbare dhe mafioze.
Përkundrazi, siç mund ta konstatoni lehtësisht regjimi autoritar i Putinit u kujdes në dukje të arrestonte Navalnyn me forca të rregullta policie, të identifikuara, që i paraqitën atij një urdhër-ndalimi, i lejuan të drejtën të prononcohej edhe për mediat e të takonte bashkëshorten e tij, u shoqërua pa dhunë, pa u tërhequr zvarrë, pra formalisht me procedura të rregullta.
Se kush e rrëmbeu Gerond Meçen dhe Daniel Shimën të gjithë shqiptarët e dinë.
Por përpjekja për të mbuluar dhe për të kaluar në heshtje rrëmbimin mafioz të Ilir Metës, nuk mund të ndodhë dhe nuk mund të amnistohet kurrë.
Zbardhja zyrtarisht e emrave të bandës kriminale që rrëmbeu Ilir Metën është një përgjegjësi që rëndon aktualisht mbi drejtësinë, që nuk mund të heshtë dhe as të mbulojë këtë akt mafioz shumë të rëndë.
Partia e Lirisë i bën thirrje SPAK-ut të hetojë dhe të zbardhë menjëherë të gjithë çetën kriminale që rrëmbeu dhe mbajti peng për më shumë se dy orë Presidentin e saj, fakt i provuar edhe nga vetë Gjykata.
Çdo ditë heshtjeje është një akt akuze ndaj SPAK-ut.
Çdo ditë pa zbardhje e kthen drejtësinë në bashkëautore të këtij krimi shtetëror.
Nënvizoj se krimi shtetëror i rrëmbimit jo vetëm të liderëve të opozitës dhe kundërshtarëve të regjimit, por edhe të qytetarëve, të biznesmenëve e së fundmi të të miturve janë kthyer në manual pune për Organizatën Kriminale që ka marrë peng shtetin.
Të gjithë shqiptarët e panë se si narkopolicët, me kapuça të zinj, e rrëmbyen një të mitur 10-vjeçar në rrugë në proestën madhështore të 24 janarit. Një ngjarje shumë e rëndë për të cilën sot ende nuk ka asnjë fajtor dhe asnjë të dënuar.
Ndaj shporrja një orë e më parë e këtij regjimi të kalbur narko-mafioz është emergjencë kombëtare, që i fton të gjithë shqiptarët e lirë, të ndershëm e patriotë të ngrihen në këmbë e të përshkallëzojnë aksionin e tyre për shembjen e kësaj klike mafioze, që jo vetëm u grabit taksat, jo vetëm rrëmben kundërshtarët por po u vjedh edhe të ardhmen shqiptarëve.
