Gjykata ka shpallur sot aktgjykimin ndaj Labeat Kastratit, ish-truprojës së presidentit historik Ibrahim Rugova, duke e dënuar me 13 vjet e 11 muaj burgim për veprën penale “Vrasje e rëndë”, rast ky që lidhet me një ngjarje të ndodhur para më shumë se dy dekada.
Burime e Sinjalit bëjnë të ditur se vendimi është shpallur pas përfundimit të rigjykimit, pasi lënda ishte kthyer për rishqyrtim më parë, në bazë të vendimit të Gjykatës Supreme.
Në gjykimin e parë, përveç Kastratit, ishte dënuar edhe një person tjetër, i cili sipas aktgjykimit të atëhershëm ishte shpallur fajtor për tejkalim të mbrojtjes së nevojshme.
Sinjali mëson se pas shpalljes së vendimit të sotëm, ndaj Kastratit është caktuar edhe masa e paraburgimit, derisa priten hapat e mëtejmë procedural dhe arsyetimi i plotë i aktgjykimit.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 24 qershor 2002, më 17 dhjetor 2001, në “Inter Klub” në Prishtinë, të akuzuarit Fahri Kajtazi, Milaim Cakaj, Labeat Kastrati dhe Hamdi Mavriqi pas disa fjalosjeve- zënkave, sharjeve dhe kërcënimeve, ishin gjuajtur me armë me qëllim që të privojnë nga jeta njëri-tjetrin.
Mirëpo, aktakuza thotë se të akuzuarit Kastrati dhe Mavriqi duke shtënë në drejtim të Kajtazit, një predhë e njërit prej tyre e godet për vdekje tani të nderin A.M, të cilin qytetarët e dërgojnë në Spital, për t’i dhënë ndihmë, ku mjekët e konstatojnë vdekjen e tij.
