Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të hënën se Irani po kërkon një zgjidhje diplomatike për tensionet me Uashingtonin, në një kohë kur aeroplanmbajtësja amerikane USS Abraham Lincoln ka mbërritur në Lindjen e Mesme.
Duke folur për faqen e lajmeve Axios, Trump e përshkroi situatën me Iranin si “të paqëndrueshme”, ndërsa theksoi se ushtria amerikane po vazhdon vendosjen e aseteve të shumta ushtarake në rajon, veçanërisht forca detare.
“Ne kemi një armatë të madhe pranë Iranit, më të madhe se ajo që kemi në Venezuelë”, u shpreh Trump, duke shtuar se diplomacia mbetet një opsion i hapur. “Ata duan të bëjnë një marrëveshje. E di këtë. Ata kanë telefonuar disa herë, duan të flasin”, tha presidenti amerikan.
Të hënën e kaluar, Komanda Qendrore e Forcave të Armatosura Amerikane (CENTCOM) njoftoi se aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln, së bashku me anijet shoqëruese të saj, kishte mbërritur në zonën e saj të përgjegjësisë, e cila përfshin edhe Iranin. Sipas CENTCOM, kjo lëvizje synon të “promovojë sigurinë dhe stabilitetin rajonal”.
