Autoritetet portugeze kanë realizuar sekuestrimin më të madh të drogës në historinë e vendit, pasi zbuluan dhe konfiskuan pothuajse nëntë ton kokainë të transportuar me një anije gjysmë-nëndetëse në Oqeanin Atlantik, pranë ishujve Azore. Sipas policisë, kjo është gjithashtu sasia më e madhe e drogës e gjetur ndonjëherë në një nëndetëse që synonte tregun evropian. Policia Gjyqësore e Portugalisë njoftoi se operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Marinën dhe Forcat Ajrore portugeze, si dhe me Agjencinë Amerikane për Luftën kundër Drogës (DEA) dhe Agjencinë Kombëtare të Krimit të Mbretërisë së Bashkuar (NCA).

Anija, e nisur nga Amerika Latine, u kap rreth 230 milje detare larg Azoreve, në kushte të vështira detare për shkak të motit të keq. Sipas policisë, në bord ndodheshin katër persona – tre shtetas kolumbianë dhe një venezuelian – të cilët u arrestuan. “Nëndetësja transportonte rreth 300 pako me kokainë”, thuhet në deklaratën zyrtare. Gjatë operacionit, anija u fundos, duke zvarritur 35 pako droge në fund të Atlantikut. Një zëdhënës i policisë konfirmoi për AFP se bëhet fjalë për sekuestrimin më të madh të kokainës të realizuar ndonjëherë në Portugali. Mediat vendase vlerësojnë se vlera e drogës së sekuestruar mund të arrijë deri në 600 milionë euro.

Fenomeni i nëndetëseve të drogës
Ky nuk është rasti i parë i tillë pranë Azoreve. Në mars të vitit të kaluar, autoritetet portugeze kapën një tjetër anije gjysmë-nëndetëse që transportonte rreth 6.5 ton kokainë drejt Evropës. Anijet gjysmë-nëndetëse janë përdorur nga kartelet e drogës në Amerikën Latine që nga vitet 1980, por u shfaqën për herë të parë në ujërat evropiane në vitin 2006, kur një anije e braktisur u gjet në Galicia, në Spanjën veriperëndimore. Në vitin 2019, një tjetër nëndetëse u zbulua në të njëjtën zonë, pasi ishte fundosur me tre ton kokainë në bord. Katër muaj më parë, policia spanjolle sekuestroi 3.6 ton kokainë të transportuar me një anije të ngjashme drejt Galicisë. Sipas autoriteteve spanjolle, rënia e çmimeve të kokainës ka bërë që kartelet të rikthejnë përdorimin e këtyre mjeteve, të cilat më parë i braktisnin pas udhëtimeve nga Amerika e Jugut.

Goditje të tjera ndaj trafikut
Ndërkohë, policia spanjolle njoftoi të hënën se kishte çmontuar një rrjet të madh dhe të organizuar të trafikut të kokainës, i cili përdorte motoskafe dhe baza logjistike në Atlantik për të futur më shumë se 57 ton drogë në Evropë brenda një viti. Hetimi njëvjeçar çoi në 105 arrestime, sekuestrimin e 10.4 ton kokainë dhe konfiskimin e 30 anijeve. Organizata vepronte nga Spanja jugore, Portugalia, Ishujt Kanarie dhe Maroku, duke përdorur motoskafe që arrinin shpejtësi deri në 40 nyje.


“Sindikatat kriminale kishin krijuar platforma të vërteta detare, ku ekuipazhet qëndronin në det për më shumë se një muaj, duke kryer operacione të njëpasnjëshme”, njoftoi policia. Hetuesit zbuluan gjithashtu nivelin e lartë të sekretit të organizatës, pasi familja e një anëtari të vrarë ishte kompensuar me 12 milionë euro për të siguruar heshtjen dhe për të shmangur dyshimet mbi aktivitetet kriminale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: