Ministrja e Brendshme Albana Koçiu ka reaguar nga Kuvendi pas protestës së opozitës që u mbajt ditën e shtunë, ku pati përplasje me policinë.
Koçiu tha se policia nuk ushtroi dhunë ndaj protestuesve, ndërsa shtoi se 11 policë u lënduan.
“Dua të jep e qartë kur them që policia nuk ushtroi dhunë. Policia u përball me dhunë. Në protestë efektivët u sulmuan me molotov dhe sende të forta, dhe për pasojë 11 efektivë u lënduan dhe morën ndihmën në spital. U bë thirrje vazhdimisht për qetësimin e situatës, dhe vetëm pas kësaj u ndërmorën masa për shpërdarjen e turmave sipas rregulloreve. Hedhja e molotovëve dhe sulmi ndaj institucioneve dhe policisë nuk është protestë. Duhet të dënojmë dhunën, jo autorët e saj dhe të akuzohet policia.
Dua të sqaroi edhe rastin e shoqërimit të një të mituri, u konstatua duke hedhur gurë dhe sende të forta drejt policisë. I mituri është 14-vjeç, në asnjë moment nuk u trajtua në mënyrë çnjerëzore. U mbajt në ambiente të veçanta. Askush nuk duhet të përdorë të miturit si mburojë politike”, tha ajo.
FJALA E PLOTE
Sigurisht që Akti Normativ, që diskutojmë sot, është një akt i rëndësishëm dhe në kuadër të fushës së përgjegjësisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe pa diskutim që me hapësirën fiskale që krijon ky Akt Normativ do të arrijmë të bëjmë të mundur, të kemi më shumë mbështetje për të gjithë institucionet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke nisur nga Policia e Shtetit, te Garda e Republikës dhe te të gjithë institucionet e varësisë.
Sigurisht që Policia e Shtetit bën të mundur që nëpërmjet 1.3 miliardë lekëve të vendosura në dispozicion me këtë akti normativ të vijojë të mbështesë efektivët për punën e jazhtëzakonshme të kryer gjatë sezonit veror, një sezon i cili përgjatë vitit 2025 u mbyll me zero akte kriminale, kjo dhe falë punës e përkushtimit të punonjësve të Policisë së Shtetit, por ndërkohë të vijojmë të mundësojmë edhe rritjen profesionale të tyre nëpërmjet mbështetjes së Akademisë së Sigurisë. Edhe Garda e Republikës do të vazhdojë të marrë mbështetjen e saj dhe ky Akti Normativ bën të mundur që të vijohet akoma më shumë me të gjithë punët e mira që kemi nisur.
Dua të shfrytëzoj këtë mundësi edhe për të thënë dy fjalë edhe për atë, që është edhe temë ditë, e që u diskutua në fillim të hapjes së kësaj seance, pikërisht me protestën që u zhvillua ditën e shtunë dhe rolin e Policisë së Shtetit në këtë protestë. Do më duhet ta cek, sepse është patjetër një diskutim, i cili u bë këtu duke përbaltur punonjësit e Policisë së Shtetit dhe sigurisht si drejtuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme e kam detyrimin e parë moral, por edhe politik për të garantuar të gjithë qytetarët që PSH e kreu detyrën e saj më së miri dhe me përpikëri.
Dua të jem e qartë kur them se Policia e Shtetit nuk ushtroi dhunë ndaj protestuesve. Ajo që ndodhi ishte që policia u përball me dhunë.
Gjatë tubimit të thirrur nga opozita, punonjësit e Policisë së Shtetit, dhe për këtë të gjithë jemi dëshmitarë, u sulmuan me molotovë, me lëndë piroteknike dhe sende të forta, në zemër të kryeqytetit, para institucioneve publike të rëndësishme dhe si pasojë e këtyre akteve, pati edhe lëndime, 11 punonjës policie u lënduan dhe u trajtuan pranë strukturave spitalore. Policia e Shtetit ka vepruar në përmbajtje të plotë të rregullave, të ligjit, të standardeve, të profesionalizmit, ka bërë thirrje të vazhdueshme për ndalimin e dhunës dhe për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës dhe vetëm pasi këto thirrje u shpërfillën dhe rreziku për jetën e punonjësve të policisë u bë evident, atëherë institucionet dhe qytetarët gjithashtu ndihen të kërcënuar në këtë situatë, u ndërmorën masa për shpërndarjen e turmës, sipas parashikimeve ligjore dhe procedurave standarde operacionale.
Akuzat se policia ka përdorur forcë të tepruar apo mjete përtej nevojës janë të pavërteta dhe të pabazuara. Çdo veprim është kryer mbi parimin e propocionalitetit dhe domosdoshmërisë, ashtu siç e kërkon ligji dhe standardet për ruajtjen e sigurisë publike. Dua ta theksoj edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme, e themi të gjithë këtu me radhë, e drejta për protestë është një e drejtë kushtetuese dhe e pacenueshme për këdo, por dhuna nuk është një e drejtë politike. Hedhja e molotovëve, sulmi ndaj policisë dhe institucioneve nuk është protestë – është shkelje e ligjit dhe cenim i rendit demokratik.
Sot të gjithë duhet të kemi guximin politik për të dënuar dhunën dhe për të mbrojtur rendin, ligjin, sigurinë publike dhe jo të mbrohen autorët e dhunës apo më keq akoma të hidhen akuza ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët kryen detyrën e tyre. Policia do të vazhdojë të jetë në shërbim të qytetarëve, të ligjit, të rendit, pa u ndikuar nga presioni politik dhe pa u zmbrapsur përballë dhunës.
Dua të ndalem gjithashtu edhe tek një rast, që është diskutuar së fundmi edhe për të përdorur opinionin publik, edhe për të bërë manipulim politik dhe emocional patjetër, rastin e shoqërimit të një të mituri. Faktet janë këto dhe janë lehtësisht të verifikueshme nga të gjithë. Gjatë veprimeve të Policisë së Shtetit siç e ka bërë të ditur dhe në deklaratat e saj për media, për parandalimin e sjelljeve të rrezikshme në tubimin e 24 janarit, shërbimet kanë konstatuar një të mitur duke gjuajtur me gurë dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë së Shtetit, për këtë arsye dhe me qëllim të vetëm sigurinë, për të mbrojtur jetën e punonjësve të Policisë, por dhe vetë të miturin, ai është marrë për verifikime ashtu siç e parashikon ligji. Nga verifikimi rezultoi se bëhet fjalë për një shtetas 14-vjeçar dhe dua ta them qartë dhe pa asnjë ekuivok, i mituri në asnjë moment nuk është trajtuar në mënyrë ë paligjshme apo çnjerëzore. Ai nuk është mbajtur kurrë në ambientet e përbashkëta me persona të rritur, të ndaluar, apo të shoqëruar, por ka qëndruar në një ambient të posaçëm dhe të përshtatshëm për t’u trajtuar me kujdes të plotë, në përputhje me rregullat, me parimet dhe me standardet e garancisë ligjore për mbrojtjen e të miturve. Menjëherë pas mbërritjes së përfaqësuesit ligjor, i mituri është lënë i lirë. Askush nuk është mbi ligjin, askush nuk duhet t’i përdorë fëmijët për mburojë politike, për të justifikuar dhunën. Të gjithë biem dakord se demokracia nuk ndërtohet me molotov, me sulme ndaj institucioneve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit.
Kush nxit dhe përdor dhunë, duhet të mbajë përgjegjësi penale, dhe politike patjetër. Policia e Shtetit ka për detyrë të garantojë rendin, sigurinë dhe mbi të gjitha të mbrojë jetën e qytetarëve, pa diskutim jetën e të miturve përfshirja e të cilëve, në asnjë rast nuk legjitimohet dhe nuk i shërben askujt, as shoqërisë e aq më tepër forcave politike, që dëshirojnë të vijnë në pushtet përmes dhunë. Shumë faleminderit!
